Drejtuesi i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, së bashku me koordinatoren Luftës kundër Korrupsionit në këtë parti, Briseda Shehaj, publikuan sot fakte të reja lidhur me aferën e inceneratorëve. Mes fakteve të reja ishte vënia si kolateral për marrjen e kredive nga firma e inceneratorit të Tiranës, të pronave publike, para që sipas Metës dhe Shehajt, janë nxjerrë jashtë Shqipërisë, për tu investuar në vende të tjera.
I pyetur se sa afat i kanë lënë SPAK për të reaguar, Meta tha se kanë durim dhe do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje.
“Nuk ju kemi zhgënjyer. Kur kemi nxjerrë dokumente, kemi nxjerrë me numra llogarie veprime të faktuara. Nuk është vetëm bashkia e Tiranës që është kokë e këmbë. Ne kemi gjithë durimin dhe vendosmërinë që t’i shkojmë gjithë aferës së djegësave deri në fund. Çdo tolerim është një tradhti kombëtare. Në këtë mënyrë do toleronim shkatërrimin e shtetit. Kjo është një histori që do shkojë deri në fund me prova dhe fakte. Kush do t;i shkojë në fund këtij procesi në mënyrë të ligjshme, duhet të bëjë detyrën e tij. Kush mendon se kjo aferë do harrohet do zhgënjehet dhe gabon shumë rëndë. Kjo aferë nuk mund të fillonte pa angazhimin e Ramës dhe të vazhdonte në këtë mënyrë katastrofike”, tha Meta.