Nga Ylli Manjani - 13/08/2022
Nga gjithë sa kam lexuar deri më tani për aferën e Portit të Durrësit, më tërheqin vëmendjen dy momente:
Së pari, shteti pritet të fitojë maksimalisht (në skenarin më pozitiv) rreth 300 milionë euro, por duhet të harxhojë 2 miliardë euro për të bërë një port tjetër të ri.
Së dyti, Porti i Durrësit, të paktën për një kohë jo të shkurtër, nuk do ekzistojë. D.m.th mund të kryhen disa shërbime në një port privat, por do jenë modeste në raport me ç'shërbime kryhen sot.
Nuk e di nëse projekti është piramidë apo jo, por po e marr të mirëqenë (megjithëse 2 miliardë shteti nuk i ka) që projekti do ndërtohet ashtu siç thuhet. Mua më mjaftojnë këto dy gjetje anti-logjike ekonomike dhe pa leverdi për ne të gjithë, për të provuar edhe njëherë se sundimi i sotëm politik është grabitje e pastër e pasurisë publike.
Nuk është më çështje korrupsioni, por plaçkitje masive e pasurisë publike. Kjo e fundit jepet për qëllime private për kokërr të qejfit, pa asnjë leverdi ekonomike për publikun. Thjesht për leverdi ekonomike private.
Ndërsa durrsakëve që po ua mbyll edhe portin, zotin ua luan!
U mbyll punën, biznesin, jetën praktikisht, për t'u bërë fjetina të shtrenjta. Ua bëri Durrësin nga qytet-port në qytet-konvikt.
Ndjesë për cinizmin, po kujtoj se durrsakët e kanë blinduar me vota sundimin politik të plaçkitjes.
Tani gjumë të ëmbël te konviktet e shtrenjta te ish porti i vetëm ndërkombëtar që kishim në ato përmasa.
Ah po,nxitoni se filluan prenotimet tek zyrat "jopolitike" të politiqenërve të Tiranës... Të atyre që shitën e blenë pushtet në zgjedhjet e fundit