Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dha një deklaratë sot për atë që e konsideroi një prioritet madhor edhe për Partinë e Lirisë edhe për opozitën e vërtetë: Zbardhjen e aferës më të rëndë të deritanishme, asaj të Portit të Durrësit.
“Në radhë të parë dua të përshëndes Konfindustrinë – tha Meta, - dhe qëndrimin e saj publik si dhe gjithë ekonomistët dhe analistët që kanë bërë kërkime të thelluara për këtë aferë dhe dua të theksoj se është detyrim absolut me interes kombëtar të bëhen publikë urgjent, pronarët fundorë të kompanisë partnere të koncensioni si dhe burimi, vlera, koha dhe garancitë ligjore të kryerjes së këtij investimi të parashikuar apo të pretenduar.
Është shumë e rëndë dhe e papranueshme dhe me pasoja të paparashikueshme ekonomike dhe financiare, po gjithashtu edhe të luftës kundër pastrimit të parasë dhe sigurisë kombëtare e publike nëse kompania partnere do të jetë e regjistruar në parajsat fiskale.
Shqipëria, nën trysninë e Këshillit të Europës dhe institucionevendërkombëtare ka detyrimin të bëjë të ditur, pronarët fundorë të kompanive guackë.
Shteti shqiptar përmes këtyre vendimeve tërësisht të bëra në errësirë, kapitalizon mbi 1,5 milionë metra katrorë sipërfaqe truall të Portit të Durrësit me vlerë jashtëzakonisht të lartë si aseti më strategjik i vendit, e cila do të ishte automatikisht sipas marrëveshjes, pronë e koncensionarit. Një pasuri e tillë e një rëndësie strategjike kombëtare nuk do të jetë më pronë e shtetit shqiptar, po e privatizuar de jure.”