Abazoviçi dhe anatemat e dyfishta

Hënë, 22 August 2022 10:28

 

Ndoshta ligjet e politikës kanë sigurinë e ligjeve të fizikës kur bëhet fjalë për king makerin e një mazhorance qeveritare.

Abazoviç dhe partia e tij "URA" me katër deputetë në parlament u bë king maker në qeverinë e formuar pas zgjedhjeve të përgjithshme të gushtit 2020. Kështu u mundësua ndryshimi i pushtetit personal pas afro dy dekadash dhe të partisë në pushtet pas shtatë dekadash. Një arritje jo e vogël kjo!

Sidoqoftë, koalicioni rezultoi një shportë karavidhesh ku anëtari më i madh ishte pro rus, pro serb (në fakt serb!), kundër NATO-s, kundër Kosovës së pavarur dhe jo pro BE-së. Kjo situatë i vë kufizime një king maker-i ambicioz: Abazoviç u emërua zëvendëskryeministër i Malit të Z e përgjegjës për sektorin e sigurisë. Ekspozimi dhe goditja e korrupsionit në disa rrjete të pushtetit të vjetër ishte një arritje. Pavarësisht ligjshmërisë ndonjëherë të dyshimtë.

Megjithatë qeveria nuk pati arritje të tjera; sigurisht që bëri edhe gafa jo të pakta. Incidentet rreth fronëzimit të peshkopit të kishës serbe në Cetinë, shënuan fundin e kësaj qeverie. Qeveria vijuese befasoi me Abazovicin si kryeministër dhe partinë e armikut të tij të madh, Presidentit Gjukanoviç, si forcën kryesore të koalicionit.

Në rastin më të mirë, kjo qeveri e re, do të stabilizonte situatën e paqëndrueshme politike dhe do të përgatitej për zgjedhje të reja, duke përfshirë reformën zgjedhore konsensuale dhe rishikimin e listave të votuesve. Në rastin ideal qeveria do të ndërmerrte reforma reale të kërkuara nga procesi i anëtarësimit në BE.

Abazovic nuk e bëri as njërën e as tjetrën. Por ai zgjodhi të provokonte bartësin më të madh të qeverisë së tij: partinë e presidentit.
Së pari duke tentuar t'i bashkohej procesit Ballkani i Hapur.
Së dyti duke nënshkruar një marrëveshje kapitullimi me Kishën Ortodokse Serbe.

Ballkani i Hapur u refuzua me të drejtë nga të gjitha qeveritë e mëparshme të Malit të Zi (përfshirë edhe atë ku Abazovic shërbeu si Zëvendës Kryeministër) si dhe nga presidenti Gjukanoviç. Motivi ishte se kjo iniciativë përbënte një duplikatë të panevojshme të Tregut të Përbashkët Rajonal (Procesit i Berlinit). Gjithashtu sepse kjo nismë u konsiderua si një mjet për arritjen e hegjemonisë rajonale nga Serbia.
Ballkani i Hapur është përdorur edhe për të izoluar Kosovën. Për Abazoviçin, një shqiptar etnik dhe një pro-europian i vetëdeklaruar, kjo duhet të ishte një anatemë e dyfishtë (duhet të shënojmë se ai kandidoi në emër të një lëvizjeje qytetare jo etnike por pan-malazeze).

Partia e Gjukanoviçit humbi zgjedhjet e vitit 2020 sepse u përpoq për të forcuar kishën historike ortodokse të Malit të Zi. E cila u përfshi në Kishën Ortodokse Serbe në vitin 1918 kur Mali i Zi, deri atëhere i pavarur, u reduktua në një provincë të Mbretërisë së Jugosllavisë të porsaformuar. Përpjekja ligjore në vitin 2019 për t'i rikthyer pronat Kishës Ortodokse Malazeze energjizoi opozitën pro-serbe, u rriti numrin e mandateve parlamentare dhe përfundimisht i bëri mazhorancë qeveritare.
Zakonisht në Ballkan kisha kombëtare ka luajtur një rol qëndror në formimin e identitetit kombëtar gjatë shekujve të fundit të sundimit osman dhe dekadave të para të pavarësisë shtetërore. Ende sot ajo mbetet një referencë e rëndësishme.
Kisha gjithashtu mund t'a teprojë me etnofiletizëm dhe të apelojë për vrasjen e "të tjerëve". Kështu bëri kisha serbe gjatë luftërave në ish Jugosllavi; të njëjtën sjellje po bën aktualisht kisha ruse. Në këtë këndvështrim, përpjekjet e Gjukanoviqit bëhen të kuptueshme.

Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri Abazovic me kreun e kishës serbe, i jep kësaj të fundit jo vetëm pronat e diskutueshme e pozitën preeminente në vend, por edhe konfirmimin e pretendimit të saj historik primordial. Do të ishte e vështirë të imagjinohej një fyerje publike më brutale ndaj presidentit e ndaj koalicionit.
Dhe për një udhëheqës qytetar, e aq më tepër për një shqiptar etnik, koncesione të tilla do të ishin sërish një anatemë e dyfishtë.

Të dyja këto aventura të Abazovicit të kujtojnë disi paradoksin Nikson. Presidenti republikan i ShBA ishte i vetmi që mund të guxonte të afrohej me Kinën komuniste për t'a nxjerrë nga orbita sovjetike. Vetëm se Abazoviçit i mungon objektivi dhe largpamësia strategjike e Niksonit.

Një shënim i fundit për një king maker qeveritar dhe një partner junior në koalicion: partneri junior mund të vendosë veton ndaj nismave të partnerit senior; ndonjëherë duke votuar kundër ose herë tjetër duke kërcënuar me kolaps të qeverisë. Por gjithashtu parteri junior nuk mund t'i imponojë çdo nismë të vetën partnerit senior. Kjo është po aq e sigurt sa graviteti dhe ligjet e tjera të fizikës. Dhe, nëse ka ende rëndësi, nuk është demokratike!

Genc Pollo
Ish-ministër dhe deputet
21 gusht 2022

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...