Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka konfirmuar sot takimin me kreun e PL-së, Ilir Meta për aksionin opozitar, teksa tha se kryeministri Rama po bën gjysmë grushti shteti me zëvendësimet në Polici dhe SHISH.
A ka një datë kur do jetë protesta e ardhshme? Jeni takuar me Metën?
Jam takuar me zotin Meta, nuk kemi fiksuar një datë fikse, por kemi rënë dakord për një aksion opozitar me këtë regjim i cili po shtrëngon çdo ditë e më shumë monizmin e tij në vend, vjedhjen, plaçkitjen e qytetarëve shqiptarë dhe sundimin e krimit. Zhvillimet e dy ditëve të fundit kanë qenë, zhvillime që në një farë mënyre, në një shtet normal të kujtojnë grushte shteti të pjesshme. Ti je kryeminstër, por nuk mund ta heqësh drejtorin e Policisë së Shtetit pa motiv, e heq atë vetëm për një qëllim të mbrapshtë. Ti nuk mund të zëvendësosh drejtorin e SHISH pa shkarkuar Drejtorin që e ka çuar në SHBA. Ti je kryeministër, por ti nuk mund ti shkarkosh sepse janë institucionet më sensitive. Nuk mund të shkarkosh drejtorin e agjencisë kundër larjes së parave, pa dhënë motivin. Në mungesë të shkaqeve çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të besoj se kanë qenë arsye personale. Klani Rama është tashmë i përfolur në të gjitha këto afera. Tani i mori edhe bastet, është përfolur në djegësa dhe call center. Dy persona kanë qenë të njohur në fushën e basteve, Ervis Martini si njeriu më kryesor i kësaj industrie. Fill pas zhdukjes, eleminimit apo largimit të tij, bastet u rikthyen për ti marrë kush? Olsi Rama. Ai ka qenë njeriu në hije i basteve. Të gjitha këto që ndodhin nuk janë pa lidhje njera me tjetrën. Lëvizjet e fundit që ka bërë janë një grusht shteti i pjesshëm. Policia, SHISH dhe institucioni i luftës kundër parave janë shumë të rëndësishme. Sot mbreti i basteve është Olsi Rama, tani është i legalizuar. Jam penduar që bastet ishin gjatë qeverisjes sime, por nuk do lejohen.