Më 2018, Mother Jones raportoi se pagesat e bëra nga një kompani guaskë për një politikan shqiptar përmes një lobuesi amerikan mund ta kishin origjinën nga Rusia. Gjatë katër vjetëve e gjysmë që pasuan nuk mësuam ndonjë gjë më tepër. Por një raport i deklasifikuar së fundmi dhe publikuar të martën zbulon se shërbimet inteligjente amerikane kanë qenë në dijeni. Një zyrtar i administratës bëri të ditur se komuniteti i inteligjencës beson se pagesat që ne raportuam ishin në kuadrin e një operacioni të madh ndërkombëtar me anë të të cilit Kremlini shpenzoi të paktën 300 milion dollarë për parti e politikanë në më tepër se njëzet vende.
Më 2017, Lulzim Basha, atëherë kreu i partisë së djathtë opozitare shqiptare, kandidonte për kryeministër. Në një vend pro-perëndimor në kërkim të anëtarësimit në BE, Basha ishte skeptik dhe kritik i masave anti-korrupsion që vendi i zhytur në krim duhej të adoptonte me qëllim hyrjen në BE. Ai ishte përkrahës i zjarrtë i Trumpit, përdorte sloganin “Make Albania Great Again” (ta bëjmë Shqipërinë sërish të madhe) dhe kërkonte akses në administratën e re amerikane.
Ç’ndodhi në 2017
Partia e Bashës, PD, pajtoi një lobues – një ish-ndihmës i Ted Cruz, i quajtur Nick Muzin – për ta ndihmuar t’i afrohej Trumpit dhe Republikanëve në ëashington. Muzin i rregulloi Bashës takime disa ligjvënës Republikanë, një intervistë me Breitbart, dhe hyrjen në qershor 2017 në një event për grumbullim fondesh për Partinë Republikane, ku Basha doli në fotografi me Trump, e cila menjëherë u përhap gjerësisht në Shqipëri si provë e aksesit të tij te Presidenti i SHBA.
Rreth së njëjtës kohë, Muzin mori një pagesë 500 mijë dollarë të lidhur me lobimin shqiptar. Origjina e këtyre parave ishte e errët dhe e dyshimtë. Muzin dhe Basha dhanë shpejgime të ndryshme. Por provat treguan se paratë erdhën përmes Biniatta Trade LP, një kompani guaskë e regjistruar në Skoci nga dy kompani të tjera guaskë, me bazë në Belize. Ne raportuam se Biniatta, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur origjinën, duket se ka rrënjë ruse, me lidhje me një numër kompanish të tjera guaskë të kontrolluara nga shtetas rusë. Biniatta i bëri pagesat në përkrahje të partisë së Bashës në të njëjtën kohë që pati një takim kontrovers me ambasadorin e Rusisë në Shqipëri dhe sinjalizoi se ai mund të ndryshonte më lehtë në përputhje me synimet anti-perëndimore të Rusisë krahasuar me kryeministrin në fuqi që po sfidonte.
Raporti që ndezi politikën
Raporti i Mother Jones pati jehonë në Shqipëri. Kritikët e akuzuan Bashën për bashkëpunim me rusët. Më 2019, prokurorët shqiptarë i ngritën akuzë për pastrim parash e falsifikim dokumentesh në lidhje me këtë çështje. Çështja më pas u pezullua nën rrethana të errëta. Basha mohoi marrjen e parave nga rusët. Dhe partia e tij këmbënguli se i kishte paguar vetëm 25 mijë dollarë Muzinit, pa dhënë shpjegime se pse dikush duhej t’i paguante një lobuesi amerikan qindra mijëra dollarë për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë. (Përmes një zëdhënësi, Muzin tha se në atë kohë ai besonte se Biniatta Trade ishte një kompani private në pronësi të mbështetësve të PDSH.)
Dhe gjithçka mbeti këtu, pak a shumë, për disa vite. Basha u largua nga PD në mars, i zëvendësuar nga themeluesi i partisë, Sali Berisha, të cilit i është ndaluar hyrja në SHBA për shkak të asaj që Departamenti i Shtetit e quan “përfshirje në korrupsion serioz”. Berisha i mohon akuzat për korrupsion dhe fajëson George Soros si fabrikues i tyre.
Rikthimi i çështjes
Por në një kabllogram dërguar ambasadave amerikane këtë javë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken thotë se Rusia ka paguar të paktën 300 milion dollarë për parti dhe politikanë jashtë Rusisë që më 2014 në përpjekje për “të krijuar ambiente politike të huaja në favor të Moskës”. Dhe një burim i administratës familjar me raportin tha për AFP se Rusia “shpenzoi rreth 500,000 dollarë për mbështetjen e Partisë Demokratike të qendrës së djathtë në Shqipëri në zgjedhjet e vitit 2017”. Kjo është një referencë e qartë për të njëjtën pagesë që Mother Jones përshkroi më 2018.
I pyetur për hollësi, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit nuk pranoi sqaronte më tej për zbulimet në lidhje me Shqipërinë. “Nuk do të hyjmë në informacione specifike të inteligjencës, por kemi qenë të qartë në shqetësimin tonë për aktivitetin e Rusisë për ndikim në proceset demokratike në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe vendin tonë”, tha zëdhënësi në një email.
Kabllogrami i Blinkenit sugjeron se Rusia ka përdorur vazhdimisht kompani të dyshimta për të paguar politikanë. Blinken thotë se Rusia ka përdorur “dhurata luksoze, pará apo kriptovaluta… kompani guaska e think tank-e, si dhe llogari të ambasadave ruse” për të ndikuar mbi politikanët.
Heshtja e Nik Muzin
Administrata tha se deklasifikoi detaje kyç të raportin të inteligjencës në mënyrë që ato të shohin dritën e publikimit. “Me qëllim për ta luftuar këtë, në shumë mënyra duhet që të përqendrojmë projektorët mbi të”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një takim me shtypin të martën.
Muzin nuk iu përgjigj kërkesës për koment të mërkurën. Basha, në Tëitter, mohoi marrjen e parave nga rusët. “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë ndonjë financim të huaj, aq më pak nga burime ruse”, shkroi ai