Kryedemokrati Sali Berisha, e quajti kryeministrin Edi Rama një njeri pa atdhe. Berisha tha se s’mund të lejojmë që vendimet për ne, të merren në Beograd dhe në Stamboll.
Më herët Berisha deklaroi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, se Edi Rama është avokat i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ndërsa theksoi se ai është tradhtar i kombit.
Ne nuk mund të pranojmë ndikime politike nga askush në raportet tona fetare. Ata që e thanë se ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’, ishin besimtarë të Zotit.
Ata e thanë këtë se fetë nuk duhet ti përçajnë shqiptarët. Në një anë kërkon të emërohet kreu i Komunitetit Mysliman, i cili zgjidhet me votë nga xhemati i tij. Tani na del se do të na hapë dhe mbyllë shkollat kur të dojë.
Nuk ka akt më të turpshëm, poshtërues, të shpifur se sa të mbyllësh shkolla e kopshte fëmijësh, se gjoja janë të lidhura me terroristë dhe puçistë në Turqi.
Pa asnjë fakt. Fakti i vetëm që gjejnë një oligark të klientelës për të thënë se e kam blerë unë godinën, Sinan Idrizi. I them Sinan Idrizit, mos e bëj veten në këtë mënyrë se do të përgjigjesh, mos luaj në interesa kombëtare.
Nëse Turqia do të respektojë Shqipërinë si vend sovran nuk do të mundet të diktojë mbyllje shkollash dhe kopshtesh.
Me asnjë manovër dhe ne këtë do të ua themi shqiptarëve kudo që janë. Ne nuk mund të pranojmë një individ si ky, për të lejuar që vendimet për ne të merren në Beograd dhe Stamboll. Kanë ikur ato kohëra.
Por ky nuk ka atdhe, ky është një apartid. Një njeri i përkushtuar vjedhjes dhe pasurimit të tij nga mëngjesi në darkë dhe çdo ditë.”-tha Berisha.