Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i ka bërë thirrje sot qytetarëve në të gjithë vendin të dalin në protestë më 5 tetor në krah të pedagogëve të universiteteve të Shqipërisë, të cilët kërkojnë rritjen e pagave dhe vlerësimin që meritojnë nga Qeveria.
Berisha shkroi sot në Fb: “Të gjithë në protestë. Mbështetje të plotë protestës universitare!” dhe në vazhdim publikoi thirrjen e sindikatës së punonjësve të universiteteve, ku shpalosen kërkesa të qarta ekonomike.
Thirrje - Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH)
“Së bashku për kërkesat tona”.
Ftojmë kolegët e universiteteve në mbarë Shqipërinë të mbështesin protestën e datës 5 tetor 2022, ora 11.00, para godinës të Universitetit Politeknik të Tiranës.
1. Rritjen e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës-akademik e administrativ
2. Rritjen e financimit për kërkimin shkencor
3. Rivendosjen e shtesave mbi pagë për “Dëmshmëri shëndeti në punë”
4. Rritjen e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
5. Rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
6. Rivlerësimin e orës mësimore
7. Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
8. Amendimin pikës C të VKM Nr. 112 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”
9. Për të bërë transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike, si dhe përdorimin e tyre.