Kryetari demokrat, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, shprehu mbështetjen e tij dhe PD-së për protestën e pedagogëve.
Berisha dënoi qëndrimin cinik të Edi Ramës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me këtë protestë.
LEXO EDHE:
Këshilli i Evropës: Çështja e Kosovës është konfidenciale
“Sot, ne mblidhemi për një rivlerësim të projektit të përgatitur nga grupi i punës, i drejtuar nga zoti Bylykbashi, për reformën territoriale, në të cilën kanë kontribute specialistët më të mirë, Sekretariati i Qeverisjes Vendore, deputetë dhe specialistë më të mirë të fushës.
Dua të shpreh mbështetjen e plotë të PD për pedagogët që janë në protestë. Sot organizuan një protestë të fuqishme para Universitetit Politeknik për kërkesat më legjitime të tyre.
I garantoj se PD qëndron në mbështetje të çdo kërkese që ata sot i drejtojnë një qeverie arrogante, mashtruese dhe hajdute. Kërkesat e pedagogëve, punonjësve dhe studentëve janë klithma të vërteta për të shpëtuar arsimin universitar në Shqipëri, që është në rrokullisje të madhe.
Edi Rama iu është përgjigjur me një qëndrim cinik, urrejtës dhe përçmues, sindikatave të arsimit të lartë dhe kërkesave të tyre.
Me vendimin e tij ai parashikon zero rritje buxhetore për rrogat. 10-përqindëshi që deklaron ai, sot e kishte shtatë, është më e ulët se inflacioni, sepse inflacioni i vërtetë është 12 përqind. Pra nuk përbën as indeksim, përbën cinizëm.
Ajo që është më e rëndë, është se premton 30 përqind tjetër rritje rroge, nga tarifat e studentëve. Dmth u thotë studentëve, familjeve të tyre, paguani ju tani për pedagogët. Në botë kush këtë nuk e bën, përveçse ka qenë një formë kjo në Jugosllavinë e Titos, që quhej vetëadministrimi jugosllav.
Nëse mbetet që pedagogët të paguhen me tarifat e studentëve, ato janë thjesht një iluzion. Sepse kancelarët, komisarët e partisë në universitete, bordet që përfaqësojnë qeverinë në universitete, kanë zhdukur tërësisht lirinë akademike. I kanë vendosur universitetet në kontroll të plotë totalitar.
Ndaj me këtë rast, i bëj thirrje çdo pedagogu, çdo asistenti, çdo laboranti, çdo punonjësi në universitet, çdo studenti dhe çdo familjari, të mos përkulen para këtij qëndrimi arrogant, cinik dhe mashtrues të një njeriu, që de facto po i çon universitetet drejt shkatërrimit.
U bëj thirrje qytetarëve, të mbështesin këtë protestë me të gjithë potencialin e tyre si një kusht për të ruajtur universitetet si shtëpitë ku formohen intelektualët shqiptarë.
Ndaj duke përgëzuar sindikatën e punonjësve të universiteteve, duke përgëzuar këdo që mori pjesë në atë protestë masive, duke dënuar deklaratat cinike të Edi Ramës, u bëj thirrje që të vazhdojë kjo betejë. I garantoj se PD do qëndrojë fuqishëm në mbështetje të kërkesave të drejta dhe shpëtimtare,” tha Berisha.