Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha nga Memaliaj se nuk ka arsye pse vendi të jetë në krizë energjetike. Por ai tha se gjithçka vjen prej abuzimeve të qeverisë.
“Po e përdor energjinë si një shpatë Damokleu mbi shqiptarët, kur nuk kemi asnjë arsye pse të jemi në krizë. Falë asaj strategjie të PD, ndërtimit të HEC-eve të reja, sot prodhimi i energjisë prej tyre është mbi dyfishuar.
Edi Rama e ka kthyer në bixhoz, shet pasurinë publike me çmimet që i leverdisin atij, dhe faturën e paguani ju, e paguajnë shqiptarët.
Furrave të bukës, furrave të kafshatës, ua ka rritur çmimin në 225 lekë kilovati. Çfarë do bëjë furrxhiu? Vëreni veten në vendin e tij. Atë çmim do ia faturojë klientit.
Ndërkohë 200 milionë euro është detyrimi që kanë institucionet shtetërore ndaj OSSH. Ju i keni dhënë paratë për të paguar energjinë, taksat janë dhënë, por janë vjedhur dhe shpërdoruar nga zyrtarët,” tha Berisha.
“A do e tolerojmë ne këtë? A mund ta pranojmë ne këtë rritje të çmimit të naftës? Jo, sepse është e tëra vjedhje. Pse Kosova dhe Mali i Zi ta kenë 900 lekë më lirë? Kjo sepse Rama ka gjetur Rama ka gjetur naftën, energjinë, si një shpatë mbi kokën e shqiptarëve. Ne do ngrihemi dhe do ngrihemi në protesta të fuqishme,” theksoi Berisha.