Pseudonaiviteti i një deklarate
(me një shënim për muxhahedinët e Manzës)
Para dy javësh kryeministri Rama deklaroi se muxhahedinët iranianë të strehuar në Shqipëri janë këtu "për t’u siguruar jetën e shëndetin dhe jo lëvizjen politike”. Kjo deklaratë e tij vjen pas sulmeve kibernetike mbi sistemet kompjuterike qeveritare; Pas këtyre sulmeve, të dënuara me ashpërsi nga ShBA, NATO e BE, siç dihet tashmë fshihet Republika Islamike e Iranit me skuadrat e hakerave të saj.
Irani si problem
Irani është një regjim teokratik shtypës ndaj popullit të vet dhe intervencionist e destabilizues në Levant e në Gadishullin Arabik. Po të kishte mundësi do të zhdukte Izraelin nga faqja e dheut; këtë Irani e thotë hapur, ndryshe nga të tjerë satrapë rajonalë që tregohen hipokritë. Gjithashtu ajatollahët e Teheranit financojnë lëvizje e fondacione në Europë e më gjerë të cilat punojnë që një ditë të perëndisë edhe aty të vendosen regjime teokratike të ngjashëm me atë që vendosi Khomeini në Iran 1979; i cili asokohe u përshëndet përzemërsisht nga Enver Hoxha.
Ndër shtetet e Gjirit Persik regjimi i ajatollahëve nuk është i vetmi që armatos religjionin politik për t'a përdorur për opresion të brendshëm dhe ekspansion të jashtëm. Por ai duket si më malinji.
E me të gjitha këto paudhësi, prapë Teherani nuk kishte ndonjë arsye të veçantë t'i hakërrohej Tiranës më shumë se ndonjë shteti tjetër ballkanik.
Po të mos ishin muxhahedinët e Manzës.
Mysafirët e Manzës
Qeveria Berisha, me kërkesë të amerikanëve, në v. 2013 pranoi të strehonte afro 300 muxhahedinë iranianë në një kamp në Manzë nën një sistem kontrolli shtetëror. Qeveria Rama e dhjetëfishoi numrin e tyre; për këtë e të tjera arsye kontrolli mbi ta u dobësua.
Strehimi në Shqipëri i Muxhahedineve e Kalk (MEK) siç njihen botërisht ishte vendim i drejtë për arsye humanitare. Kampi në Irak ku ata strehoheshin ishte në shënjestrën e Iranit; sulmet aty shkaktuan jo pak viktima. Vendimi ishte i duhur edhe për t'i bërë një favor aleatit të madh që na ka ndihmuar kaq shumë në tre dekadat e fundit.
Por fakti që MEK ishin refugjatë i bën ata viktima që kërkojnë mbrojtje dhe jo detyrimisht luftëtarë të lirisë që meritojnë mbështetje e aq më pak heronj që lipset të festohen.
MEK, islamo-marksistët
Muxhahedinët nisën në v. 60 si lëvizje me një ideologji që përzien islamizmin me marksizmin dhe me antiamerikanizmin. Ata ishin opozitarë ndaj monarkisë Pahlevi si dhe më pas kanë luftuar kundër teokracisë së Komeinit; gjithmonë e më shumë me akte dhune e terrori. Në luftën Iran-Irak në v. 80 u rreshtuan me Irakun. Regjimi i Sadam Hyseinit i përdori më vonë për sulme kundra kurdëve që i rezistonin. Perëndimi i shpalli lëvizje terroriste por i rehabilitoi mbas rrëzimit të Sadamit. Këto e të tjera gjëra si dhe evoluimi shoqëror në Iran bëjnë që MEK jo vetëm të mos kenë mbështetje popullore por edhe të jenë të diskredituar në sytë e iranianëve.
Duke qenë kështu ata nuk mund të jenë as faktor i jashtëm me ndikim në Iran; aq më pak mund të ofrojnë për iranianët një qeveri detyrimisht më të butë e më të dashur me popullin se regjimi aktual. Kush i konsideron seriozisht ata si alternativë pushteti veçse dëshmon naivitet. E megjithatë kjo nuk i ka penguar politikanë të lartë e të respektuar nga ShBA (nga Europa më pak) të vijnë periodikisht në Manzë e të shprehin përkrahjen politike për MEK-ët. Me gjasë, në mungesë të një partneri serioz brenda Iranit (ku ajatollahët nuk tolerojnë) apo jashtë tij (thjesht nuk ka të tjerë të organizuar), kundërshtarët perëndimorë të regjimit iranian kapen mbas MEK-ëve si mbas të vetmes fije bari. Edhe politikanë shqiptarë janë joshur prej muxhahedinëve: deputetë përfshi ish kryeministra kanë shkuar në kongreset e tyre në Francë.
MEK-ët në Shqipëri nuk u strehuan thjesht për të shpëtuar kokën. Ata ndërtuan një bazë të rrethuar me roje private ku nuk hynte policia. Prej andej organizoheshin veprimtari kundër Iranit në rradhës të parë në propagandë kundër regjimit. Aq intensive ishin postimet në rrjete sociale sa që në një moment piku ato krijuan kongjestion e bllokim në Facebook.
Shpresa brenda Iranit e jo në diasporë.
E gjithë kjo do të ishte e tolerueshme po qe se muxhahedinet do të përbënin në kërcënim politik real për Iranin. Nëse vërtet ata premtonin ndryshimin e regjimit dhe një qeverisje më të përgjegjshme me fqinjët e të drejtat e njeriut do t'ja vlente barra qeranë. Risku i reagimeve armiqësore nga Irani do të kishte një kuptim e një arsye. Edhe sulmi kibernetik që pësuam do të ishte pjesë e dëmeve të luftës. Por MEK-ët, megjithë pretendimet bombastike, nuk janë sfidë serioze për ajatollahët. Kush ka ndjekur së fundmi zhvillimet në Iran ka parë se populli ka dalë në rrugë për të protestuar kundër regjimit dhe policia ka hapur zjarr duke lënë mbi njëqind të vrarë. Shkëndija ishte vdekja e një vajze të re në një komisariat policie ku mbahej e arrestuar se nuk kishte vënë mbi kokë "siç duhej" shaminë islamike. Përhapja masive e protestës tregoi se në popullsinë iraniane është pjekur potenciali i ndryshimit politike. Aty është shpresa e çlirimit nga regjimi dhe jo në kampin e Manzës që është 2,800 km larg. Edhe në Shqipëri ndryshimi erdhi nga studentët, intelektualët, e pastaj të gjitha shtresat shoqërore. Nuk erdhi nga diaspora e larguar në fund të v. 1944 e cila, me ose pa të drejtë, ishte damkosur si kolaboracioniste.
Gjunjëzim që duhej evituar
Këto gjëra mund të ishin shqyrtuar më parë. Për to mund të ishte biseduar me aleatët. Por kjo nuk ndodhi. Dhe publiku e dinte po aq mirë se qeveria se Manza ishte bazë operacionesh kundër Teheranit dhe një reagim iranian do të ishte i pritshëm.
Por tashti që reagimi ndodhi dhe bllokoi sistemet kompjuterike qeveritare a ka kuptim dhe a është momenti për të ndaluar aktivizmin e MEK-ëve siç deklaroi Rama në fund të shtatorit? Dhe në qoftë se u ndriçua befas mendja për këtë çështje a lipset që kjo të deklarohet publikisht?
Deklarata e Ramës fill mbas sulmeve kibernetike duket si një dorëzim i Shqipërsë para Iranit. Duket si lëshim e zmbrapsje i qeverisë së Tiranës të troditur e frikësuar nga shantazhi kibernetik. E që nuk përputhet as gjeste të forta si përzënia e ambasadës iraniane "për 24 orë" e as me dënimet me gjuhë të ashpër në Washington, Bruksel e Londër. Sepse ky është ndër ato raste kur nuk ka rëndësi se çfarë thua por ka rëndësi kur e si e thua.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
06 tetor 2022