Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur sot besimin e fortë të fitores së partisë që ai drejton në zgjedhjet e pritshme vendore, “një rezultat të jashtëzakonshëm” siç u shpreh, duke hedhur poshtë të gjitha spekulimet që janë bërë së fundmi sikur është një lider jo i pëlqyer sipas sondazheve të ndonjë medieje.
SYRI TV i drejtoi Metës në konferencën e shtypit, një pyetje të drejtpërdrejtë lidhur me këtë:
Ilir Meta: Këto janë sondazhe të kombinuara pikërisht edhe nga ata që financohen nga paratë e inceneratorëve. Kjo është një gjë tepër e qartë. Së dyti, këtë sondazh për mua e ka shpallur për mua që ditën që kam dalë nga Presidenca apo përpara. Së treti, Edi Rama e di shumë mirë se mbi 80% e Shqipërisë është duke zierë nga padurimi për ta shporrur njëherë e mirë atë dhe po kështu e di shumë mirë se nëse ka një forcë politike ku duart e tij priten shumë shpejt , është Partia e Lirisë, sepse te të tjerat i ka futur duart direkt dhe indirekt.
Ndërkohë që unë i besoj sondazhit të përditshëm që bëjnë në raport me qytetarët dhe i besoj shumë dhe sondazhit që do të vijë, që është ai i zgjedhjeve vendore, ku PL jam i sigurt do të arrijë një rezultat të jashtëzakonshëm dhe do të japë kontributin e saj për një fitore sa më domethënëse të të gjithë opozitës në rast se e gjithë opozita e dëshiron këtë fitore. Kështu që kjo është shumë e qartë. Nuk jam fare i shqetësuar për popullaritetin tim, përkundrazi jam i shqetësuar për gjendjen e rëndë në të cilën është vendi dhe kjo vjen si rezultat i Edi Ramës. Për sa i takon pastaj këtyre absurditeve dhe kontradiksioneve, këto i kupton edhe një fëmijë se nga çfarë kuzhine gatuhen thjesht për të krijuar demotivime dhe ushqime propagandistile në shërbim të “rilindjes” gjithmonë.