Kryetari i opozitës, Sali Berisha, në daljen e tij të përjavshme, e vuri theksin te fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Strasburg.
Disa herë, Berisha tha se autoritetet kosovare duhet ta ndalin Ramën, pasi ai po bën shumë dëm me qëndrimet e tij.
Berisha tha se në Strasburg, Rama në mënyrë skandaloze foli për kombin kosovar, si një ultranacionalist serb.
“Opozita nuk mund të humbasë kurrë fokusin si gardiane e interesit kombëtar.
Edi Rama në Strasburg me retorikën e tij pseudopatriotike, shkelmoi interesin kombëtar, foli për dy kombe shqiptare si ultranacionalist serb.
Bëri një bruto-figurë, që e detyroi Komitetin Presidencial dhe grupin më të madh parlamentar të bojkotojnë darkën sikur të ishte Lukashenko i Bjellorusisë,” tha Berisha.
“Edi Rama shpalli në Strasburg aktin e madh të tradhtisë kombëtare, duke shpalosur aty tezën antikombëtare të kombit kosovar. Enver Hoxha e la Kosovën nën pushtimin serb dhe jugosllav, por nuk foli ndonjëherë për kombin kosovar.
Beogradi promovoi me gjithë fuqinë e tij tezën e kombit kosovar dhe shqiptar. Me këtë tezë, Edi Rama jo vetëm miratoi ndarjen në dysh të kombit shqiptar, por indirekt edhe zhdukjen e kombit, pasi ai është kosovar. Kjo është thika më e rëndë që i futet kombit shqiptar,” tha kryetari demokrat.