Diplomati i karrierës: Rama me teza të rrëzikshme në Strasburg, u duk se po mbronte Serbinë, jo Kosovën (Shënime diplomatike)

Premte, 14 October 2022 14:56


Nga Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik

Në fjalimin, që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti në 12 tetor në Asamblenë e Përgjithëshme të Këshillit të Europës në Strasburg, në mesin e përroit të teatralitetit politik të destinuar për vulgun në Shqipëri dhe në Kosovë, ishte futur me djallëzi një nga tezat kryesore antishqiptare të Serbisë. Është teza famëkeqe e “kombit kosovar”, e cila synon të zhbëjë të drejtën dhe identitetin e Kosovës si pjesë e historisë dhe ekzistencës së kombit shqiptar.

Për herë të parë kryeministri i Shqipërisë del në një foltore ndërkombëtare dhe deklaron tekstualisht, sipas origjinalit të publikuar në faqen e kryeministrisë: “ky ishte rasti i kombit të Kosovës disa dekada më parë”. Më poshtë ai përsërit këtë tezë me thënien e tij se Ukraina dhe Kosova “janë dy kombe”.

A është kjo një blasfemi diplomatike dhe kombëtare, që thellon rrugën e justifikimit të një aleance okulte të Shqipërisë me Serbinë kundër Kosovës? A është kjo një blasfemi diplomatike dhe kombëtare, që sinjalizon distancimin e qeverisë së Tiranës nga njësimi identitar shqiptar me Kosovën dhe trajtimin e Kosovës si një komb i huaj?

Nuk duket rastësi që kryeministri i Shqipërisë në hartimin e stërgjatë retorik në Strasburg e cilësoi agresionin kriminal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës në vitet 1998-1999 një “konflikt humanitar”, në një kohë që ai ishte agresion gjakatar, gjenocid dhe deportim i dhunshëm kolektiv i popullit shqiptar. Termi djallëzor “konflikt humanitar” pritet t’i pëlqejë shumë historiografisë serbe për narrativën e saj zbukuruese të luftës kriminale të qeverisë së Millosheviçit në Kosovë, ku presidenti serb Vuçiç ishte ministër i informacionit. Nuk duket rastësi që kryeministri i Shqipërisë thotë në fjalimin e tij se në Kosovë në vitin 1999 “vdiqën mijra vetë” sikur ata vdiqën nga koronavirusi, dhe nuk thotë të vërtetën që ushtria e Serbisë vrau 15 mijë shqiptarë në atë agresion. Nuk duket rastësi që kryeministri i Shqipërisë e quan “operacion ushtarak” agresionin e Serbisë në Kosovë, duke përdorur termin maskues, që Rusia i ka vënë tani agresionit të saj ushtarak në Ukrainë.

Kryeministri i Shqipërisë nuk e përmendi në asnjë rresht Serbinë si akuzatore kryesore e shpifjeve dhe akuzava për të ashtuquajturin trafik organesh nga udhëheqësit e UÇK. Ata, që i shkruajnë fjalimet diplomatike Ramës, duhet t’ia kishin thënë atij se në 26 janar 2011, kur në Asamblenë e Përgjithëshme të Këshillit të Europës në Strasburg u miratua raporti investigativ për të ashtuquajturin trafik organesh në Kosovë, përfaqësuesi kryesor i akuzës në Strasburg ishte personalisht presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pra ishte Serbia si shtet. Shkruajtësit e fjalimeve të tij diplomatike mund t’i kishin sugjeruar që t’i kursente në 12 tetor në Strasburg lavdërimet për presidentin serb Vuçiç, sepse miku i tij Vuçiç ka deklaruar se “raporti për hetimin e trafikut të organeve njerëzore në Kosovë në vitin 1999 do të ketë rëndësi të jashtëzakonëshme për Serbinë”.

Në 21 prill 2022 në sesionin e posaçëm të KS të OKB për punën e UNMIK-ut, ministri i jashtëm i Vuçiçit, Nikolla Selakoviç deklaroi:”Serbia edhe njëherë e nderon kontributin e Dik Martit për kurajon që tregoi në raportin e tij për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për krimet e UÇK”. Çdo logjikë minimale do ta kishte shmangur alogjizmin, që krijoi fjalimi i Ramës në Strasburgut, që Rama lavdëron mikun e tij Vuçiç, i cili nderon armikun e Ramës, Dik Marti.

Nuk mund t’i vesh emër tjetër propagandimit absurd në Strasburg në 12 tetor nga Rama të “Ballkanit të hapur” serb, përveçse çfajësim dhe alibi për krimet e Serbisë në Kosovë. Tallja me temën zyrtare, për të cilën shkoi në Strasburg, doli kur kryeministri i Shqipërisë nuk harroi misionin e tij të përditshëm diplomatik për të marrë në mbrojtje Serbinë, dhe iu drejtua Europës se “nuk duhet të ushtrojmë trysni të skajshme mbi Serbinë kur vjen fjala për sanksionet.

Duhet të tregohemi të kujdesshëm, sepse nuk duam të përfundojë në një situatë ku ta hedhim Serbinë në krahët e Vladimir Putinit”.

Servilizëm diplomatik i shkallës së parë. Sikur Serbia nuk është në krahët e Putinit dhe të Rusisë! Nuk e di nëse entuziastët ruralë të lobit serb në Prishtinë, që në 12 tetor shpërthyen me duartrokitje të komanduara, e kanë kuptuar se kë po mbronte kryeministri i Shqipërisë në Strasburg: Kosovën apo Serbinë?

Kryeministri i Shqipërisë doli zyrtarisht dhe publikisht me shpikjen serbe të “kombit të Kosovës”. Nuk dihet se çfarë e keqe tjetër ka mbetur apo na vjen pas, dhe se çfarë mund të lëpijë më shumë qeveria e Shqipërisë nga pështymat antishqiptare të Serbisë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...