Përmes një marrëveshjeje të fshehtë, Bashkia e Vorës, e drejtuar nga Blerim Shera, po paguan miliona për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Klodian Zotos. Deri më tani janë kryer dy pagesa me vlerë rreth 25 milionë leke të vjetra. Edhe pse akt- marrëveshja me “Integrated Energji BV, është nënshkruar në qershor të këtij viti, Bashkia e Vorës është kujdesur të mos ketë asnjë gjurmë publike lidhur me detyrimet që ka ndaj kompanisë koncensionare
Institucioni i drejtuar nga Blerim Shera ka kryer dy pagesa deri më tani, në korrik dhe shtator 2022, me vlerë totale rreth 25 milionë lekë të vjetra.
Por, deri më tani, nuk ka asnjë gjurmë publike të kësaj marrëveshjeje dhe është e paqartë se çfarë detyrimesh ka Bashkia ndaj kompanisë private.
Bashkia e Vorës është njësia e radhës në Qarkun e Tiranës që detyrohet të nënshkruajë kontratë me shoqërinë e landfillit të Sharrës, e krijuar nga biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto.
Më herët, Bashkitë e Durrësit, Shijakut e Kavajës, u detyruan që të dorëzojnë mbetjet urbane në landfillin e Sharrës, duke paguar shifrën e fryrë 29 euro për ton mbeturina.
Këshilli i Ministrave vendosi në fillim të këtij viti që të kryejë transferta qeveritare në favor të këtyre Bashkive, me qëllim që ato të paguanin faturat për kompaninë e Klodian Zotos, pas nënshkrimit të kontratave me kushte aspak favorizuese për institucionet publike.
Në progres-raportin e publikuar pak ditë më parë, Komisioni Europian ngriti sërish shqetësimin për praktikat e ndjekura nga qeveria shqiptare lidhur me procesin e incenerimit të mbetjeve urbane. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në një dalje publike me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Kristiane Hohman, deklaroi se qeveria do të vijojë të kryejë pagesat për kompanitë kontroverse të landfillëve, megjithëse ato janë nën hetim për përfshirje në skemë gjigante pastrimi parash.