Ashtu siç ishte paralajmëuar, në pjesën më të madhe të universiteteve të Shqipërisë, sot pedagogët kanë bojkotuar nisjen e vitit të ri akademik.
Pedagogët e universitetit të Korçës, Gjirokastrës, Elbasanit, dhe Tiranës nuk kanë nisur mësimin.
Në Shkodër, rektorja e universitetit, tha se i mbështeste kërkesat e pedagogëve por kishte kërkuar që bojkoti të mos niste ditën esotme.
Nga ana tjetër Peter Saraçi, kryetar i sindikatës së pedagogëve në Shkodër tha se pjesa më e madhe e tyre kanë bojkotuar dhe se nuk po zhvillohej mësim.
“Pjesa më e madhe e pedagogëve janë në protestë, nuk po zhvillohet mësim. Do vijojmë bojkotin gjatë gjithë orëve të mësimit. Protesta nuk është kundër kryeministrit apo rektores. 3 pika nuk janë realizuar ende.
Protesta mbështetet nga studentët. Ftoj rektoren të na thërrasë në takime, jemi treguar realist në pikat tona”– u shpreh Saraçi.
Ndërkohë në Vlorë, nuk ka patur protestë të pedagogëve, dhe rektori i institucionit u shpreh se nuk ishte njoftuar nga sindikata.
Po ashtu edhe në universitetin e Durrësit, nuk raportohet për bojkot të pedagogëve.
Ndërsa në Tiranë, pedagogët në pjesën më të madhe të fakulteteve, kanë bojkotuar nisjen e vitit të ri akademik duke mos zhvilluar mësim. Ndërsa kanë njoftuar se protestat do të vijonin çdo ditë nga ora 10:00 deri në 12:00 duke sjellë edhe përshkallëzime të mëtejshme.
Përjashtim nga bojkoti, kanë bërë pedagogët e fakultetit të mjekësisë në Tiranë, ku rektori i faktultetit nuk ka pranuar të ketë protestë. Ndërsa kreu i sindikatës, Sandër Kovaçi e cilësoi atë si një “oligark”.
Kërkesa e pedagogëve qëndron në rritjen e rrogës së tyre deri në 50%, ku 30% rritje të bëhej gjatë njërit vit dhe 20% gjatë vitit tjetër.