Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryetari Sali Berisha tha se kryeministri Edi Rama i privoi pedagogët nga procesi i gradimit.
“Sot, elita e kombit tonë, e cila ka si shtëpi të saj, universitetet e vendit, është në grevë, është në protestë për kërkesat më elementare, që mund të paraqesë një trupë akademike.
Elita akademike universitare përbën një pasuri të çmuar për kombin, de facto përbën truri e kombit. Përbën pa diskutim promotorin e dijeve për zhvillimin e vendit, përbën një investim të jashtëzakonshëm, që qytetarët shqiptarë kanë bërë për formimin e tyre.
Kjo elitë, në vitet e fundit u keqtrajtua në mënyrën më të pamerituar. Kjo elitë si në asnjë vend tjetër të Europës dhe botës, për tetë vite, u privua tërësisht nga procesi i gradimeve shkencore, që përbën shtyllën më kryesore të kërkimit shkencor në universitetet e të gjithë botës. Në doktoratura që drejtohen nga katedra dhe departamente, qëndrojnë universi i shpikjeve, i zhvillimeve, i studimeve shkencore të rëndësishme, dhe i lartësimit të godinës së dijes të çdo vendi.
Me një të rënë të lapsit, me një urrejtje të papërshkruar ndaj pedagogëve, ata u privuan nga ky funksion jetik për zhvillimin, përparimin, lartësimin, konsolidimin e tyre si elitë kombëtare.
Këtë e pësuan një lloj, demokratë, socialistë, të paparti, çfarë ishin pedagogë. E kemi ngritur dhjetëra herë në parlament një gjë të tillë. Institucioni i vetëm që vazhdonte doktoratura ishte institucioni që kishte dorëzuar një mega-ryshfet në qeveri. Pra një institucion privat. Institucionet publike nuk lejoheshin nga ministria që të udhëheqin doktoratura.
Mirëpo qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se doktoraturat janë elementi më thelbësor i kërkimit shkencor. Ai që e kryen dhe ai që e udhëheq, arrijnë të japin një produkt, herë-herë edhe themelor dhe origjinal për shkencën, pavarësisht se jemi në Shqipëri. Kjo ka ndodhur edhe në vitet e diktaturës, jo më sot,” tha Berisha.