Kryetari demokrat, Sali Berisha tha se shumë shpejt do përcaktohet data e nisjes së protestave.
“Po shkojmë drejt përcaktimit të ditës së nisjes së protestave. Ky përcaktim do jetë shumë i afërt dhe do ua komunikojmë. Sot situata po bëhet shumë e padurueshme. Gjendja ekonomike përkeqësohet me shpejtësi.Vjedhjet dhe mashtrimet e qeverisë bëhen të pakufishme. Biznesi dhe shtresa e mesme, pas zhytjes në mjerim të shtresës së varfër, janë kurbanët e radhës dhe kërkojnë mbrojtje,” tha Berisha.
I pyetur për votimin e mbrëmshëm të disa deputetëve të PD, Berisha tha se ata gabuan.
“Unë mendoj se deputetët që votuan, kanë bërë një gabim sepse deputetët që votuan, përpara duhet të njiheshin me tekstin e ligjit që është dorëzuar në parlament. Gjykoj se ky tekst përbënte bazën më serioze, më të domosdoshme dhe më të mbështetur nga shoqëria shqiptare, më të konsultuar me të përndjekurit politikë. Ideja se u hapën për herë të parë dosjet është një mashtrim fund e krye. Me ligjin e vitit 2008, dosjet kanë qenë të hapura pa kufizim për çdo individ,” tha Berisha.