"Jemi në një periudhë globale të vështirë. Ekonomia po shënohet nga ajo që cilësohet si polikrizë, krizë e shumëfishtë, ndërsa gjeopolitika është shënuar nga rikthimi i luftës në Evropë.
Natyrisht, le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve.
Sot në botë jemi dëshmitarë që është rikthyer politika fashiste, herë e drejtpërdrejtë, herë e maskuar. Politikë e sponsoruar nga Moska, nga Kremlini, nga Putini.
Pikërisht sot, është rikthyer në plan të parë rëndësia e të qenit antifashistë. Kundër diskriminimeve me bazë gjinore, racore, etnike, fetare, kundër çdo lloj diskriminimi. Lëvizja Vetëvendosje! është partia e vetme parlamentare e cila përqafon një politikë progresiste, socialdemokrate, aktiviste kundër diskriminimeve, aktive për shtet zhvillimor.
Po e kryej këtë fjalim me këto fjali: është sot me rëndësi strategjike të mendojmë në mënyrë afatgjate për organizatën tonë. Jo sot për nesër, as për javën, muajin apo vitin e ardhshëm, por për një qëndrueshmëri edhe dhjetë, apo njëzet vjeçare. Ndryshimet e vërteta, kërkojnë qëndrueshmëri. Qëndrueshmërinë do të na e japë vetëm organizata."