Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka cituar sondazhin e “Barometrit” në Euronews Albania, sipas së cilit, 35.3% e shqiptarëve mendojnë negativisht për SPAK.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se ky sondazh faktoi se SPAK nuk është institucion i besueshëm dhe kontrollohet nga qeveria.
“Edi Rama ushtron një kontroll më të pamëshirshëm mbi drejtësinë dhe ju e patë, Euro Barometri i fundit ishte, qytetarët shqiptarë hidhnin në kosh reformën sorosiane, e cila shndërroi drejtësinë shqiptare në degë të ekzekutivit. Formën që drejtësinë për shkak të kontrollit politik, bëri që dy herë më shumë e urrejnë dhe e përçmojnë se sa e vlerësojnë.
Besoj se ky Euro Barometër faktoi para çdo shqiptari dhe gjithë botës, se ai që quhet SPAK, nuk është gjë tjetër vetëm kaps. Ai që u ideua si SPAK, vetëm gjatë këtyre muajve, për 60% të shqiptarëve, është institucion fund e krye i pabesueshëm, sepse është skap”, theksoi ai.
35.3% e shqiptarëve mendojnë negativisht për SPAK. Të pyetur nga Barometri në Euronews Albania, shumica e kanë vlerësuar negativisht punën që ka bërë SPAK deri më tani.
7.2% e të pyeturve janë shprehur shumë negativisht, ndërkohë që 27.5% e shqiptarëve janë shprehur neutral.
Gjetjet janë të Barometrit në Euronews Albania, realizuar gjatë periudhës 9-21 shtator 2022, kryer nga MRB dhe Data Centrum, në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë.