Kreu i Partise se Lirise Ilir Meta, tha se synimi është që shqiptarët të kenë jo paga mbijetese si akutalisht, por paga jetese per te garantuar mirëqenie.
Meta garantoi se PL në pushtet “do të miratojmë ligjin për indeksimin e pagave në raport me inflacionin dhe rritjen ekonomike, rritje e pagave që do të realizohet cdo vit”.
“Ne synojmë të kemi një zhvillim ekonomik, që përkthehet në rritjet e pagave aktuale të shumicës së shqiptarëve, që janë paga mbijetese, sa për të mbajtur frymën gjallë, në “paga të jetesës” që garanton mbulimin e kostove të jetesës, dhe një mirëqenie të familjeve shqiptare. Për një jetë cilësore dhe me dinjitet në vendin e tyre”.
Meta tha se PL propozon uljen e “barrës fiskale për individët dhe bizneset, për të formalizuar ekonominë, për të ulur çmimet, për të stimuluar konsumin dhe prodhimin vendas”.
“Sistemi i taksimit korruptiv të Rilindjes ka vendosur në mënyrë antikushtetuese Tatim Mbi Dividentin në masën 8%, ndërsa do taksojë profesionistët e rinj, të vetpunësuarit, që janë shtylla kurrizore e shoqërisë dhe ekonomisë, me 23% të fitimit.
A ka taksim më të pandershëm mbi kapitalin njerëzor? Mbi talentin, arsimin, energjinë dhe djersën e shqiptarëve të kualifikuar për punë?
Në kushtet e krizës ekonomike aktuale ne propozojmë të ulim barrën fiskale për individët dhe bizneset, për të formalizuar ekonominë, për të ulur çmimet, për të stimuluar konsumin dhe prodhimin vendas”, u shpreh Meta.
Duke folur për administratën publike, Meta tha se ajo do jetë e mbushur “me profesionistë dhe jo patronazhistë”.
“Ne synojmë meritokracinë në administratën publike si e vetmja garanci për suksesin e te gjitha reformave institucionale dhe qeverisëse. Duhet të bëjmë çmos për të mbajtur dhe rekrutuar profesionistët e rinj me ambicie dhe vizion, për të ecur përpara me reformat institucionale dhe për të kapur kohën e humbur me integrimin europian.
Një prioritet i rëndësishëm për ne, është rikthimi i shërbimeve publike më të domosdoshme pranë qyteteve dhe bashkive, që po shkretohen me shpejtësi marramendëse, për shkak të heqjes së qëllimshme të këtyre shërbimeve nga Rilindja.
Kjo është një nga arsyet kryesore të shpopullimit të shumicës së qyteteve dhe trevave tona, pasi largimi i detyruar i intelektualëve nga këto zona, si dhe largimi i shërbimeve, i ka bërë të pamundura këto shërbime për tu përfituar nga qytetarët, për shkak të kostove shumë të larta të udhëimit dhe burokracive.
Partia e Lirisë mbështet fuqishëm garantimin e votës për Diasporës, por edhe do të hapim dyert për profesionistët e diasporës shqiptare kudo ku ndodhen, që të vijnë të kontribuojnë dhe investojnë në Shqipëri“, u shpreh Meta