Kryetari demokrat, Sali Berisha, kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se qytetarët do e përmbysin me votë.
Ai tha se drejtësia për çështjen e inceneratorëve po shpërbëhet.
“Jam sot këtu për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin përfundimtar nga çdo funksion të Edi Ramës, i cili me aktet e tij antiligjore, antikushtetuese, është sot simboli më i nxirë i pushtetarit abuziv, që nuk njeh normë, standard moral, ligjor apo kushtetues kur vjen puna për pasurimin e tij, për luksin e tij, për pushtetin e tij.
Edi Rama është sot kryeministri i vetëm në Europë dhe në botë, që krijon sipërmarrje personale me 420 milionë euro të grabitura taksapaguesve shqiptarë sipas kontratave që ka firmosur në kundërshtim me ligjet e vendit për djegësat.
Sipërmarrja e Edi Ramës e djegësave në Tiranë, Fier dhe Elbasan është sipërmarrja e vetme në Europë me imunitet të plotë, në të cilin formalisht shpallen në kërkim menaxherët dhe administratorët e kësaj ndërmarrje, por faktikisht, ndonëse të gjitha objektet e krimit nuk konfiskohen, dhe ata shëtisin të lirë, madje kanë filluar presionin për t’u çliruar nga akuzat, kjo sipërmarrje merr çdo javë qindra e mijëra euro që shkojnë në kontot bankare të Edi Ramës dhe ministrave të tjerë me emra të ndryshëm.
Drejtësia ndaj këtij akti madhor kriminal po shpërbëhet. Ajo është faktuar tërësisht si SKAP-i i partisë. Pasi doli me urdhër të qeverisë, Alqi Bllako, tani janë ushtarët e tjerë të kësaj sipërmarrje, Gugalja, Zoto dhe Mërtiri, ata të cilët i kërkojnë Edi Ramës në mënyrë ultimative, çlirimin nga akuzat,” tha Berisha.