Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka organizuar këtë pasdite një mbledhje në selinë blu me kryetarët e degëve të PD në Tiranë. Sali Berisha tha se ne sot kemi hyrë në fushën e betejës. Sipas tij të gjithë shqiptarët kërkojnë shpëtimin nga klika që qeveris vendin.
"Ne sot kemi hyrë në fushën e betejës. Duhet të kuptohemi, të gjitha përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë përpjekje për tu ngritur në këmbë, për të dëshmuar veten tonë si opozitë e vërtetë, si PD e rithemeluar. Tani, ne vijmë në fillimin e betejës.
Nuk mund të qëndrojë në pushtet një njeri i cili me firmë dhe vulë vjedh qindra milionë euro taksapaguesve shqiptarë. Nuk mund të qëndrojë në pushtet një kryeministër që fluturon, udhëton me çarter 137 herë, dy herë më shumë se presidenti i vendit më të fuqishëm në botë dhe u thotë qytetarëve të shtetit të vet sikur të ishin dele, se unë e bëj për të promovuar avionin e ‘Air Albania’, paçka se avioni çarter ka koston, nga 100 deri në 300 mijë dollarë.
Paçka se shkon nga Tirana në Nju Jork, dhe nga Nju Jorku në Tampa, Florida, për të parë me 5 mijë euro biletën me çarter. Dhe u thotë pastaj, se kjo më kushton sa gjysma e biletës biznes klas. Nuk ka njeri në botë që të tallet me qytetarët e vet, siç tallet ky. Nuk ka, nuk mund të ndodhë."-tha Berisha.