Ka qenë sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ai i cili e ka bërë të ditur.
Deklarata e Partisë Demokratike:Demokratët, ashtu si në Durrës, Mirditë dhe Peqin, bashkohen edhe në Kurbin.
Deputeti Kastriot Piroli dhe ish-Kryetari i PD në Laç Behar Axhiu iu bashkuan Partisë Demokratike.
I pranishëm në selinë e PD Kurbin, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka theksoi se bashkimi do të ndodhë në të gjithë Shqipërinë.
‘Kjo është një mbledhje që i bashkon demokratët. Demokratët janë bashkë dhe kanë vetëm një qëllim, të përballemi me dhe të mundim regjimin për t'i kthyer pushtetin lokal qytetarëve. Motoja e çdo demokrati sot është, të bashkohemi, të jemi bashkë për t'i dhënë shpresë vendit.
Sot në Kurbin jemi bashkë dhe demokratët e Kurbnit kanë një arsye më shumë se ne kemi një arsye më shumë për të mundur Edi Ramën. Bashkinë nuk mund ta lëmë më në duart e bandës së pushtetit. Ia falëm të gjitha pushtetet Edi Ramës, kemi vuajtur shumë për këto gabime, jo tuajat dhe unë e ndjej detyrim t'ju kërkoj ndjesë edhe nga gabimet tona në këto vite opozitë, sepse ju nuk e keni merituar të rrimë pa përfaqësim dhe pa pushtet vendor kur pushteti vendor është shumë i rëndësishëm dhe fryma është ndaj Partisë Demokratike.
Me këtë bashkim po shkojmë drejt rrugës së fitores ky mesazh do të rrezatojë në të gjithë Shqipërinë. Në Durrës u dha sinjali i madh i bashkimit. Sot jemi në Kurbin dhe do ta vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë’, tha Noka.
Bashkimi i bazës demokrate është një sinjal i mirë në një prej proceseve demokratike të PD, të Primareve.
Më herët edhe deputetja e Qarkut Lezhë Elda Hoti iu bashkua shumicës së demokratëve.