Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se demokratët e kanë problemin me Edi Ramën. Sipas tij, Rama po përpiqet që të konfiskojë flamurin e PD, por do marrë përgjigjen e merituar.
“PD gjatë një viti, ka votuar më shumë se kurrë në historinë e saj dhe më shumë se çdo forcë politike. E ka bërë këtë sipas kushtetutës së saj dhe ka kompletuar një proces ligjor me votën e lirë të anëtarëve. Këtë proces, kërkon ta shkelmojë, në mënyrë antiligjore, antidemokratike, strikt armiqësore, Edi Rama.
Përveç këtyre procedurave, ka një vendim gjykate, në të cilin gjykatësi ka vendosur për këtë realitet, për Kuvendin, për logot, për vendimet e PD-së. Gjithçka është e ligjshme, e paligjshme dhe armiqësore është përpjekja e Edi Ramës për të konfiskuar flamurin e PD, flamurin e pluralizmit politik.
PD rezervon çdo të drejtë t’i përgjigjet atij në mënyrat më të merituara. Ky është një problem që e kemi me Edi Ramën, nuk e kemi me tjetër...”
“Mungesa e avokatit në seancën e djeshme në gjykatën e Apelit është makinacion i Edi Ramës. Nuk kemi në fokus asnjë njeri tjetër përveç Edi Ramës. Demokratët e dinë. Ai është njeriu që kërkon të konfiskojë flamurin e demokratëve. Ata, në kohën e duhur, do marrin udhëzimet përkatëse dhe do qëndrojnë sipas udhëzimeve,” tha Berisha.
“PD në të gjitha takimet e saj, përveç disa takimeve në hotele, dhe një në një qytet, që të gjitha i ka pasur gratis. Kjo solli një sherr të madh midis Edi Ramës dhe bashkiakëve, madje pati ndërhyrje të paskrupullta edhe nga guvernatorja se si mund të ndodhë kjo. Por ja që ndodh. Bashkitë kanë një sallë që e ofrojnë për aktivitete dhe kjo është e vërteta e shpenzimeve,” deklaroi ai.