Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i ftuar në programin "Dola te Ola" rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive duke rrëfyer momente shumë interesante dhe të bukura nga rinia e tij.
Ilir Meta dikur ka qenë gazetar. Në program tregoi se ka shkruar te “Gazeta Studenti” për çështjet ekonomike, dhe ka qenë radiokronist në emisionin më të ndjekur të asaj kohe që drejtohej nga Ahmet Shqarri.
Meta kujtoi fillimet e tij në politikë, teksa foli edhe për disa nga takimet më të rëndësishme, sikurse ishte vizita e tij e parë jashtë vendit, në Danimarkë, aty ku dhe PS shënoi kontaktin e parë me socialdemokracinë europiane.
“Një moment historik për PS pasi krijoi lidhje të forta me socialdemokratët skandinavë, të cilët ishin liderë”, tha ai.
Ndërkohë teksa u pyet nëse e ka marrë malli për PS-në e dikurshme, Meta reagoi duke qeshur edhe duke thënë: Mendoj se kam bërë më të mirën për vendin në një kohë të vështirë, duke vendosur ekuilibra të rëndësishëm. Partia Socialiste është një kujtim i së kaluarës tashmë për shkak të tjetërsimit që i ka ndodhur me atë që unë e quaj Rilindje”, shtoi ai.