Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi vazhdoi të denoncojë të tjera fakte për mega-aferën e djegësave. Kryemadhi u ndal këtë herë te afera e inceneratorit të Tiranës.
Ajo tha se Klodian Zoto ka paguar mbi 2 miliardë lekë për 19 kompani, por sipas saj ajo që të bën përshtypje janë kompanitë Lumi-06, Elvis 03 Group dhe Elvis Co.
Sipas Kryemadhit, vlera e grabitur shkon në rreth 19 milionë dollarë, teksa shton se këto pagesa Zoto i ka bërë në vitet 2018-2021.
Ajo tha se ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se kompanitë janë paditur nga Drejtoria e Tatimeve, atëherë si është e mundur që i kanë lejuar të paguhen dhe të marrin paratë. Kryemadhi shpjegoi edhe pse nuk sekuestrohet inceneratori i Tiranës.
“Çështja e inceneratorit të Tiranës ka vështirësinë e saj. Nuk është si rasti i Elbasanit dhe i Fierit. Inceneratori i Elbasani u sekuestrua pasi u bënë të gjitha pagesat. Edhe në Fier pagesat janë bërë deri në fund, më pas janë sekuestruar.
Ndërsa inceneratori Tiranës është një koncesion që vazhdon për 30 vjet, dhe nëse sekuestrohet nga prokuroria dhe administrohet nga shteti, i bie që qeveria shqiptare nuk do paguajë 10 milionë dollarë për Zoton dhe inceneratorin e Tiranës, por më pak, sepse vlera nuk do jetë 29 euro për ton, por shumë më pak.
Kjo ndodh sepse këto para përdoren për blerjen e mediave, blerjen e votave dhe për të shantazhuar prokurorinë dhe SPAK”, theksoi Kryemadhi.