Mesazhet e protestës kombëtare që do të mbahet sot përpara kryeministrisë kanë të bëjnë në radhë të parë me nevojat më jetike të qytetarëve si siguria e jetës, përballimi i jetesës në kushtet e një krize që sa vjen e rëndohet, largimi i rinisë dhe fëmijëve nga vendi, perspektiva për të ardhmen për të kaluar më pas në denoncimin e aferave të rënda të kësja qeverie, që miliardat që duhet t’i shkojnë popullit, i jepen një grushti qeveritarësh dhe oligarkësh.
Më e rënda deri tani ndër këto afera ishte konsideruar ajo e inceneratorëve-fantazëm, që kanë thithur miliona euro nga buxheti i shtetit dhe vazhdojnë të thithin ndërkohë që nuk ekzistojnë. Por, një aferë tjetër, më e rëndë, që duket se po e lë në hije, ka dalë së fundmi në pah: projekti qeveritar prej miliardash i Portit të Durrësit, që është vënë në duart e kompanive me investitorë të fshehtë.