Kryefjala e konferencës së ditës së hënë të kryetarit demokrat, Sali Berisha, ishte rrëzimi i monizmit. Berisha tha se kryeministri Edi Rama synon të asgjësojë pluralizmit. Ai e akuzoi Ramën se synon të marrë flamurin e PD-së, për t’ia dhënë atë vasalëve të tij.
“Edi Rama është një armik i betuar i parlamentarizmit. Unë u them sot se nuk ka kryeministër në planet, as edhe Idi Amin që vriste ministrat e tij, diktator që mund të përdorë një fjalim të tillë kundër opozitës si Edi Rama.
Së fundmi, Edi Rama kërkon asgjësimin e pluralizmit. Kërkon të marrë flamurin e PD-së dhe t’ua varë në qafë, vasalëve të tij, me qëllim që të hakmerret si bir dhe nip xhelati, për përmbysjen që kjo parti u bëri etërve të tij,” tha Berisha.
“Në vitet ’90 ne u ngritëm së bashku me moton: vdekje komunizmit. Ne përmbysëm sistemin bazuar në këtë moto. Sot është koha të përsërisim nga mëngjesi deri në darkë: vdekje monizmit, të bazuar këtë herë në drogën, vjedhjen, krimin.
Ky monizëm duhet të arkivohet një minutë e më parë. Ky monizëm po depersonalizon kombin si monizmi i parë. E ka bërë atë kombin e frikshëm, kombin e gomoneve. E ka bërë atë kombin më të varfër dhe nuk ishte i tillë,” theksoi kryetari demokrat.