Richard Grenell u shpreh në një intervistë ekskluzive për Çim Peka Live se vendimet politike të Joe Biden i hapën rrugë Rusisë të pushtojë Ukrainën.
Diplomati amerikan i quan të gabuara dhe të këqija politikat që po ndjek nga Shtëpia e Bardhë, demokrati Joe Biden.
Grenell tha se kur Donald Trump ishte president i SHBA, sanksionoi gazsjellësin rus, Nord Stream II, por Joe Biden dhe Angela Merkel i shfuqizuan këto vendime.
Sipas tij, kjo u interpretua nga Vladimir Putin si dritë jeshile për të pushtuar Ukrainën edhe sot jemi përpara këtij fakti.
"Kam qenë i qartë për diçka, administrata e Donald Trump kishte sanksione mbi gazsjellësin rus, Nord Stream II, administrata Biden me demokratët në Senat i rrëzoi ato sanksione dhe ajo që ndodhi shumë pak pas kësaj, Presidenti Putin e pa këtë si dritë jeshile për të shkuar drejt Ukrainës. Nuk besoj se është e tepërt për të thënë se administrata e Biden me demokratët në Senat ndihmuan në shkaktimin e luftës në Ukrainë", u shpreh Grenell.
Pjesë nga intervista
Çim Peka: Zoti Grenell, mirëmbrëma. Pati shumë interes për zgjedhjet afatmesme në SHBA, jo vetëm në vendin tuaj, por në të gjithë botën. Tani që kanë përfunduar këto zgjedhje cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm?
Richard Grenell: Pikë së pari, në disa shtete ende po numërohen votat. Lajm i mirë është se Republikanët kanë fituar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kjo do të thotë se do të jemi në gjendje të ndalojmë të gjitha politikat e këqija të Biden. Ju e kuptoni si funksionon politika amerikane, duhet të kemi Shtëpinë e Bardhë, Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve dhe Republikanët kanë kapur një prej tyre. Lajmi i mirë është se do të kemi mundësi t’i ndalojmë të gjitha këto politika të këqija të Biden.
Çim Peka: A mundet vetëm Dhoma e Përfaqësuesve duke patur kundër Senatin dhe Presidentin, ekzekutivin - t’i ndalojë këto politika që ju i konsideroni të këqija të Presidentit Biden?
Richard Grenell: Shikoni, do të jetë një situatë ku ne mund do t’i ndalojmë politikat e këqija të tij, por nuk do të jemi në gjendje të zbatojmë shumë prej politikave të tilla si prodhimi i energjisë, i cili është një gjë e madhe, po përjetojmë çmime të larta të naftës këtu në SHBA. Kemi ndaluar për shkak të administratës Biden së qenuri një eksportues i energjisë. Është ndaluar prodhimi i energjisë në SHBA për shkak se ambientalistët e kanë sakatuar administratën Biden. Dhe nuk do të kemi mundësi t’i rizbatojmë këto politika te të qenit një eksportues i energjisë, por do të jemi në gjendje të ndalojmë të gjitha politikat që Biden ka promovuar. Besoj se bota po përjeton çmime të larta të naftës dhe një problem të tmerrshëm me inflacionin sepse politikat amerikane kanë qenë kaq të këqija. Besoj se shprehja e vjetër vijon njësoj, ‘nëse e zë gripi Amerikën ashtu ndodh me të gjithë botën. Dhe kemi inflacion që ka arritur skajet, kemi çmime nafte që janë shumë problematike, ekonomia jonë është dërrmuar dhe bën kuptim kur ke një president politikat e cilit janë duke ndaluar prodhimin, energjinë tonë dhe po bën edhe politika të këqija. Kam qenë i qartë për diçka, administrata e Donald Trump kishte sanksione mbi gazsjellësin rus, Nord Stream II, administrata Biden me demokratët në Senat i rrëzoi ato sanksione dhe ajo që ndodhi shumë pak pas kësaj, Presidenti Putin e pa këtë si dritë jeshile për të shkuar drejt Ukrainës. Nuk besoj se është e tepërt për të thënë se administrata e Biden me demokratët në Senat ndihmuan në shkaktimin e luftës në Ukrainë. Unë mendoj se është vërtetë e rëndësishme të kuptojmë se politikat e këqija me kalimin e kohës çojnë në rezultate të tmerrshme. Dhe shohim këtë luftë kaotike në Ukrainë që po destabilizon Europën Lindore, po përpiqet të destabilizojë Ballkanin. Le të jemi shumë të qartë, administrata Biden, me demokratët në Senat, bashkë me qeverinë e kancelares Merkel, i hoqën sanksionet me këtë gazsjellës dhe i dhanë dritën jeshile. Tani ajo që shikojmë është një politikë e dobët në lidhje me Kinën nga Amerika. Kinezët po përpiqen të marrin një port në Gjermani dhe po lexojnë dobësinë e administratës Biden. Mendoj se zgjedhjet e mes-mandatit ku Republikanët morën Dhomën e Përfaqësuesve do të jetë shumë ndihmuese në ndalimin e këtyre politikave të këqija.
Çim Peka: Zoti Grenell, kjo që thoni është interesante, por së paku në Shqipëri dhe Kosovë, nëse je mbështetës i Trump, sidomos në këtë situatë, automatikisht mediat të lidhin me Rusinë, parashikohesh mbështetës i Putin. Ndërkohë që ju sapo thatë të kundërtën. Thatë që heqja e sanksioneve ndaj Gazprom-it i dha shumë mundësi Putinit të pushtojë Ukrainën. Gjithashtu, është e vërtetë që Presidenca Biden e bëri Amerikën shumë më të varur nga energjia e jashtme se ajo Amerikane. Por gjithashtu po lidh marrëveshje dhe po i shtrin dorën diktatorëve si ai i Venezuelës kur deri para pak kohësh nga SHBA paguheshin 15 mln dollarë për kokën e tij. Nuk keni arritur të bindni botën se cili është raporti real i administratës Biden me Rusinë dhe administratës Trump me Rusinë. Sepse, të paktën në Shqipëri, nëse kërkon të mbrosh pikëpamjet e Trump, menjëherë etiketohesh si filo-rus.
Richard Grenell: Besoj se kjo është diçka që janë përpjekur të bëjnë disa prej mediave Amerikane që shfaqin këtë pamje të Trump me idenë Rusia, Rusia, e pamë këtë narrativë të rrëzohej. Nëse shikoni faktet, është administrata Biden që rrëzoi sanksionet me gazsjellësin çka shkaktoi këtë kaos në të gjithë Europën. Ju duhet të shikoni destabilizimin e Ukrainës dhe të pyesni si ndodhi kjo nën Joe Biden dhe pse nuk ndodhi nën presidentin Trump. Dhe ka një përgjigje të thjeshtë sepse Trump kishte sanksione mbi atë gazsjellës dhe nuk do të vazhdonte më tej dhe presidenti Putin ishte shumë i zemëruar me këtë. Putin ishte shumë i lumtur kur Biden rrëzoi sanksionet. Trump ka thënë gjithmonë se nuk dua të kem marrëdhënie të këqija nëpër botë, qoftë me Kinën apo Rusinë, nuk dua, siç themi në Amerikë, ‘t’ju nxjerr sytë’, thjeshtë për të qenë problem për ta, ne duam të shkojmë mirë me ta, duam të qëndrojmë për politikat tona dhe vlerat tona. Presidenti Trump qëndroi fort dhe vuri sanksione për atë gazsjellës dhe njerëzit duhet të kontrollojnë faktet dhe të mos më besojnë mua për këtë, por të kontrollojnë vetë se kush i hoqi ato sanksione. Ishte Joe Biden dhe demokratët në Senat.