‘Manhatani i Zagrebit’, Rama nuk gënjeu, thjesht tradhëtoi ankthin e vet

Premte, 18 November 2022 22:05
 
Nga Andi Bushati -  18/11/2022
 
 Gafa fëmijënore e Edi Ramës për të hequr një paralele krahasuese mes asaj që milioneri arab, Alabaar do të bënte në Zagreb dhe asaj që pritet të ndërtojë në Durrës, nuk duhet parë si një mashtrim i qëllimtë.

Ajo është më tepër një përpjekje e yshtur nga ankthi dhe pasiguria e atij që do të kapet pas një fije kashte, për ti thyer hundët kundërshtarëve “pa din e pa iman”, që e akuzojnë si grabitës. Nën këto ethe, kryeministri ka postuar direkt dhe pa e kontrolluar, një shkrim, që ia ka servrirur ndonjë këshilltar avdall, të cilin e zënë shkronjat, ku thuhej se e njëjta kompani “Eagle Hills”, që do të marrë 800 mijë metra katrorë ndërtimi në Durrës, është mirpritur edhe në Kroaci, për të ndërtuar “Manhatanin” e Zagrebit.

Në “pavëmendjen” e frikshme të kryeministrit ka disa probleme. Si fillim, shkrimi i Birn që ai riposton mban datën 2019, ndërsa kompania që qeveria e tij ka shpallur investitor strategjik është themeluar vetëm një vit më parë. Pra, që këtu kuptohet se nuk bëhet fjalë për të njëjtën gjë, ndonëse të dyja mbajën emrin “Eagle Hills”. E dyta dhe më skandalozja, po të thellohej pak, Edi Rama do ta kishte mësuar se qytetarët me protesta e kanë përzënë Alabaarin, bashkë me projektin e tij nga kryeqyteti kroat. Pra, kullat e tij prej betoni, nuk janë “mirpritur” siç e servir në mënyrë infantile ai, por në të kundërt, kanë mbetur vetëm në letër.

 Por duke u nisur edhe nga përgënjeshtrimi i tij, sërish këmbëngul, se pavarësisht nga amatorizmi që tregoi me postimin e parë, jam i bindur se Edi Rama nuk është nisur për të na gënjyer me qëllim. Sado i verbuar që të jetë, ai e di se në këtë botë të ndërlidhur, hile të tilla zbulohen shumë shpejt. Ajo historia e periudhës së kovidit, kur e shiti një video të disa policëve afrikanë që shembinin në duru qytetarët e vet, si një ngjarje që ndodh në mes të Evropës, ia ka mësuar kaq gjë.

Por, nervoziteti i atij që është kapur me presh në duar, i ndërlidhur me sikletin e atij që e ndjen se është i pabesueshëm, e kanë bërë të gabojë. Me urgjencën dhe ankthin e dikujt që i duket se zbuloi një argument të favor të vet ai ka hedhur në treg një artikull që s’ka pasur nerva as ta lexojë.

I gjithë ky konfuzion e ka një shpjegim. Atëherë kur ky projekt u promovua për herë të parë, në Tiranë u trumbetua plot zhurmë se këtu do të zbarkonte një kompani e madhe, që ka ndërtuar Dubain dhe Burjh Kalifën. Emaar grup, ku kishte aksione dhe monarkia e emirateve të bashkuara ishte garanci për një investim serioz. Nisur nga ky lajm, u mbulua edhe darka e ministrave te Nusreti. Gazetarë të njohur, grupe televizive, reportazhe në TV kombëtare i bënë jehonë të stërmadhe këtij evenimenti. Ky gjigandizëm, i sponsorizuar politikisht dhe mediatikisht, justifikonte faljen e tokës publike, zhvendosjen e portit më të madh në vend, dhënien pa dilema të statusit të investitorit strategjik.

Por, kur ëndrra propagandistike mbaroi dhe njërëzit u ndëshën me realitetin prozaik të dokumentave, rezultoi komplet e kundërta. Emaar kishte avulluar dhe nuk figuronte kërkund. Muhamet Alabaar do investonte si person privat, përmes një kompanie pa emër, një pjesë e partnerëve të të cilës ishin regjistruar në parajsa fiskale. Ajo që u premtua me bujë ishte mpakur si lëkura e shagrenit. Nga mbi dy miliardë që do investonte Emaar, Alabaar do hidhte vetëm 80 milionë, nga katërfishin e vendeve të punës që propogandohej me ardhjen e të parit, shifra qe reduktuar në 12 mijë, nga marina me e madhe në Mesdhe, kishte përfunduar në një port me 280 vende ankorimi. Por lehtësitë, favoret, shkelja e kushtetutës, votimi i një ligji special nga kuvendi, marja e pasurisë publike pa garë, ishin në proporcion me gjigandizmin e Emaarit dhe jo për kompaninë me kapital 100 mijë lekë, që ishte regjistruar për herë të parë në QKB-në shqiptare. 

Mediat e tij dhe vetë Edi Rama kishin pompuar ardhjen e së parës (fotot poshtë).

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...