Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se ndër amendamentet e PD-së për buxhetin, do jetë edhe një për krijimin e një fondi rezervë nga KESH për dëmshpërblimin e të përmbyturve.
“Propozohet krijimi i fondit rezervë të KESH në mënyrë që dëmshpërblimi i të përmbyturve të mos jetë më çështje mundësie, por çështje detyrimi real ku KESH të detyrohet të mbajë një fond prej 15 përqind për përmbytjet që krijon në zonat ku janë të vendosura digat.
Përmbytja e fundit ishte një përmbytje kryekëput e diktuar nga vjedhja qeveritare. Nëse ka pasur një ndryshim të motit, të parashikuar me saktësi të madhe nga gjeoshkenca shqiptare dhe ajo italiane, ka qenë ndryshimi i motit të ditëve që kaluam.
Por ato ndryshime moti nuk bllokuan Edi Ramën dhe Ballukun që të vazhdojnë vjedhjen me import energjie. Mbajtën të mbushur liqenin e Komanit dhe nuk prodhonin energji, hapnin portat e Komanit. Por ky është një liqen me kapacitet të kufizuar. Gjithnjë do një përkujdesje të veçantë.
Ditët që mund të prodhonin energji, këta blinin energji me një çmim prej 230 euro megavati, në një kohë kur sot e shesin me 79 euro megavatin. Akti i tyre është kriminal dhe i papërgjegjshëm, sepse ligji i detyron që në çdo vendim që marrin për hapjen e portave, duhet të njoftojë autoritetet vendore. Dhe autoritetet vendore marrin masa që të njoftojnë popullatën.
Kjo nuk ka ndodhur. Kanë hapur dy tunelet e Komanit, portat e Komanit dhe të gjitha tunelet, portat e Vaut të Dejës. Kaq i madh, kaq i fuqishëm ka qenë vërshimi, saqë ka ngritur me themel urën e Bahçallëkut. Ka marrë bazamentin e ujit. Gjysma e urës është zhdukur. Nuk kishin parë ndonjëherë banorët dhe njeriu që i përmbyti ata, ka dy ditë që i gënjen në mënyrë të turpshme, në vend që të kërkojë ndjesë dhe të shkarkojë të gjithë zinxhirin përgjegjës për përmbytjet.
Rama bën gjithçka që të mos dëmshpërblejë, por ne do i çojmë përpara ligjit. E përgëzoj zotin Spahiu për padinë. Nuk shkonte dot në Shkodër, por shkonte në Sukth për të përgëzuar Sakon për ballon e saj. Në kulmin e përmbytjeve, Sako bënte ballo për kryeministrin te Kodra e Kuajve.
E përgëzoj Mit’hat Hazbiun për atë që i tha kryeministrit. Ky u soll me tërbim dhe përfundoi në spital ai. I bërtiste qytetarit: Burg, burg, burg. Ndaj amendamenti është shumë i rëndësishëm, që të krijohet fondi rezervë. Se ligji e thotë që ai që përmbyt, ai të paguan,” tha Berisha.