Kryetari demokrat, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protestë më 6 dhjetor në orën 12:00.
“Thirrja ime është për çdo shqiptar, të dalin atë ditë të protestojnë, për të dëshmuar përkushtimin tonë jetik ndaj vlerave evropiane, vlera të cilat në këto 8 vite janë bjerrur, janë deformuar dhe deri diku zhdukur nga regjimi i narkoshtetit të Edi Ramës, që e kanë konsideruar Shqipërinë që feston 110-vjetorin e pavarësisë, 53 vende më poshtë se shteti i ri i pavarur i Kosovës në treguesit e zbatimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve, por mjerisht edhe katër vende nën diktaturën moniste të Vietnamit.
Pikërisht është dhunimi i këtyre vlerave, absolutisht faktori më themelor i shndërrimit të shqiptarëve për herë të dytë në 30 vite në boat-people. Në njerëzit e gomoneve. Ju besoj se i patë statistikat e djeshme të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Shqiptarët tejkalonin me distancës sirianët dhe afganët.
Është një rast për të shprehur me dinjiteti, me civilitet, zërin tuaj, para lidershipit të BE. Është e martë, është ditë pune, ora 12, por sakrifica ia vlen. Unë kam besim se do jenë të pranishëm.
Ftoj nxënësit e shkollave që atë ditë t’ia kushtojnë të ardhmes së tyre evropiane, ftoj studentët e tyre nga mbarë vendi, të mblidhen në Tiranë. Është një rast unik, i papërsëritshëm, që ne të shprehim mbështetjen tonë të fuqishme për vlerat evropiane. Janë kaq në rrezik në Shqipëri,” tha Berisha.