Bashkimi Europian nuk është i shqetësuar për protestën e opozitës të thirrur më 6 Dhjetor. Edhe pse atë ditë Tirana mirëpret liderët e vendeve anëtare të BE-së, për Brukselin protesta e opozitës jo vetëm që nuk përbën sheqetësim, por i bëhet thirrje autoriteteve shqiptare që të garantojë sipas ligjit të drejtën e qytetarëve për të protestuar të lirë. Në një reagim të Brukselit për mediat thuhet se: “Ne kemi besim se si mikpritës, autoritetet publike shqiptare do të sigurojnë zhvillimin e sigurt dhe të rregullt të samitit, duke respektuar ushtrimin e ligjshëm të lirive nga qytetarët”.
Bashkimi Europian e konsideron protestën e thirrur nga opozita në 6 dhjetor si një ushtrim i lirive të ligjshme të qytetarëve, që duhet të respektohet nga autoritetet, pavarësisht se në të njëjtën ditë zhvillohet në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Në një përgjigje per mediat, përfaqësuesit e Brukselit shpjeguan se presin garantimin e sigurisë së samitit nga autoritetet shqiptare, duke respektuar njëkohësisht protestën e opozitës.
“Kjo është hera e parë që samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në rajon, duke i dërguar një mesazh të fortë Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor për rëndësinë e tyre gjeostrategjike për BE-në. Ne kemi besim se si mikpritës, autoritetet publike shqiptare do të sigurojnë zhvillimin e sigurt dhe të rregullt të samitit, duke respektuar ushtrimin e ligjshëm të lirive nga qytetarët”.
Partia Demokratike do të organizojë një protestë më 6 dhjetor, ditë në të cilën në Shqipëri do të mbahet edhe samiti BE-Ballkan Perëndimor. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se protesta e opozitës do të jetë në mbështetje të vlerave europiane dhe kundër abuzimeve të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.