Pavarësisht se ngjalli shumë debat dhe shkaktoi shumë bujë një vit më parë, edhe këtë vit, ambasada amerikane ka uruar shqiptarët me rastin e 29 nëntorit.
“Ky rast shërben si kujtesë për sakrificat e popullit shqiptar dhe si një mundësi për të kremtuar një moment të lavdishëm të historisë shqiptare. Gëzuar Festën e Çlirimit, Shqipëri,” shkruhej në postimin bashkangjitur fotos së flamurit.
Ndërkohë, vetë ambasadorja Yuri Kim shkoi për të bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një kohë kur aty po mbaheshin nderime nga nostalgjikët e komunizmit.
Në një rast të ngjashëm një vit më parë, ish-gazetari i VOA, organi zyrtar i DASH, historiani Ilir Ikonomi reagoi ashpër ndaj urimit të Ambasadës Amerikane në 29 nëntor. Në komentin e tij në faqen e Facebook të ambasadës, Ikonomi thekson se e ashtuquajtura Dita e Çlirimit nuk është uruar asnjëherë nga paraardhësit e ambasadores Juri Kim. Ikonomi kërkon që ambasada amerikane të kërkojë falje ndaj të gjithë atyre që kanë vuajtur nga represioni komunist në Shqipëri.
“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e kanë uruar asnjëherë këtë të ashtuquajtur Dita e Çlirimit të Shqipërisë. Sipas mendimit tim modest, ky ishte një gabim i madh diplomatik nga ana juaj, dhe atyre, që kanë vuajtur nga represioni komunist në Shqipëri, i keni borxh një ndjesë të madhe, sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruan Ikonomi në Facebook.
Shumë më i ashpër ishte Frank Shkreli, ish-drejtor i VOA për EuroAzinë.
“Zonja Kim, shqiptarëve kudo – përfshirë ne shqiptaro-amerikanët, por sidomos qindra- mijëra shqiptarëve të prekur nga krimet komuniste e për të cilët nuk ke thënë asnjë fjalë në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave të tyre, – të na shpjegosh se kur ka ndryshuar politika amerikane në lidhje me “Ditën e Çlirimit” në Shqipëri. Unë nuk e di se kush të ka shtyrë të marrësh vendime të tilla “solo”. Ti ke shkelur shumë vija të kuqe deri tani, por ky urim nga ana jote, vendim personal siç duket, është një ofendim tejet i rëndë për të gjithë liridashësit, por sidomos ndaj të përndjekurve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej regjimeve më kriminale të botës,” shkruante ai.
“E turpshme, sido që ta shikosh për një përfaqësuese që do duhej të reflektonte dhe të mbronte parimet dhe vlerat e Shteteve të Bashkuara që nuk janë pajtuar kurrë me robërimin e popujve nga komunizmi ndërkombëtar, përfshirë regjimin komunist të Enver Hoxhës. Por ja, kush do mendonte, sot një diplomate amerikane, madje shefe e ambasadës tonë në Tiranë – në kujtesën time, për herë të parë në historinë e 70 viteve të kaluara — i dërgon urimet shqiptarëve për njërën prej ditëve më të zeza që ka shënuar historia e Kombit shqiptar – pushtimin e Shqipërisë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës,” theksonte Shkreli.