Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sërish se mega-afera e Portit të Durrësit është e ndërlidhur me vjedhjen prej 2.2 miliardë eurosh të dyshes Olsi Rama-Amant Josifi.
Madje Berisha tha se Josifi është arratisur në Dubai. Si gjithmonë, Berisha e kishte një mesazh për Alabarin.
“Është e katërta herë që e denoncoj unë këtë. Ku është Amanti tani, thoni ju? E njoftuan dhe ia mbathi. Disa burime më thonë se ka shkuar në Dubai.
Se atje ua paraqit ai të gjithë Bitcoin-ët e vjedhur. Se i kanë vjedhur në në mënyrë skandaloze. Vendose në këtë aplikacion, dhe pa i thënë asgjë pronarit, e fusnin në kuletën e tyre dixhitale. I kthenin në euro e dollarë, për të ndërtuar Dubain e Ramës, apo të tjera kulla.
Kurse një pjesë të tyre, se ato ishin 2.2 miliardë, i depozitonin në Dubai. Dubain e kanë parajsën. Por edhe atje, fatmirësisht, FBI ka bërë operacione jashtëzakonisht sensitive. Uroj dhe shpresoj që t’i shkojnë deri në fund.
Të kuptojnë shqiptarët atëherë se gjithçka në këtë qeveri është mafioze, mafioze dhe vetëm mafioze,” tha Berisha.
“Porti i Durrësit, po shiten apartamente, pa dalë në Fletoren Zyrtare ligji. U bëj thirrje qytetarëve, me çfarë çmimi thoni ju? 3 mijë euro.
Dubai i Edi Ramës dhe arabit të tij, po ngrihen të gjitha mbi paratë e krimit. Jo vetëm të Shqipërisë, por edhe nga vendet e tjera. Ndaj na duhen ato pasaportat e arta. Vendi është në rrezik të jashtëzakonshëm. Kjo mafie nuk ka asnjë parim, asnjë interes.
Ndaj i them edhe njëherë zotit Alabar, që është një miliarder. Hiq dorë nga kjo aferë. Zotëri, kjo është plaçkitja më e madhe që i bëhet kombit shqiptar në pronë publike.
Prandaj mos përziej aksionet e tua me Edi Ramën,” u shpreh Berisha.