Teksa sot Tirana do të presë 27 liderë europianë për samitin e BE-Ballkani Perëndimor, opozita do të zhvillojë një protestë. Ndonëse shumë rrugë të kryeqytetit janë të bllokuara, opozita, nuk është tërhequr, duke i mëshuar me forcë protestës së saj, për të cilën kanë nënvizuar disa herë se do të jetë paqësore.
Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha njoftoi dje në një konferencë për mediat se opozita do të protestonte në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndonëse është një zonë ku është vendosur perimetri i sigurisë nga policia për shkak të samitit. “Është kjo parti e cila në tre dekada qëndroi lokomotivë e vërtetë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Samiti është një mbështetje e madhe për demokratët sepse është kjo parti në qeveri e cila firmosi marrëveshjen e stabilizimasociimit, liberalizoi vizat… në këtë aspekt në historinë e PD Samti i nesërm përbën mbështetjen më të madhe për aspiratat, idealet demokratike të saj, por nesër ne populli opozitar, do të mbushë rrugë dhe sheshet e Tiranës në një shenjë proteste të fuqishme, pikërisht në mbrojtje të vlerave europiane.
Tmerrësisht të rrezikuara dhe kërcënuara nga Rama dhe regjimi i tij. Çdo shqiptar që e do këtë vend, lirinë, dinjitetin, të bashkohet nesër në shesh me ne për t’i dëshmuar lidershipit europian se ne jemi në një betejë me armikun e votës së shqiptare, Edi Rama”, tha ai.
Policia e Shtetit nga ana tjetër nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike për të protestuar nga ora 12:00 deri në orën 16:00. Pavarësisht këtij fakti, Partia Demokratike nuk është tërhequr nga protesta dhe vendi, ndërsa i kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës.