Rreth 800 demokratë beratas janë nisur mbrëmjen e djeshme me mjete private për të marrë pjesë në protestën e opozitës në Tiranë. Ata ishin njoftuar se policia do t’u ndalonte hyrjen sot në kryeqytet. Ndërkohë që autobuzët e linjave ishin paralajmëruar të mos prenotoheshin me protestues.
Demokratët beratas janë nisur drejt protestës së sotme në Tiranë në mënyrë të paorganizuar.Vetë drejtuesit e 5 degëve të Partisë Demokratike në qarkun e Beratit konfirmojnë se pjesa më e madhe e protestuesve janë nisur mbrëmjem e djeshme dhe një pjesë tjetër janë nisur sot me mjetet e tyre private.Kjo ka ndodhur pasi, siç edhe janë shprehur vetë drejtuesit e degëve të PD-së, ata ishin njoftuar se nuk do të lejoheshin nga policia të futeshin në Tiranë. Po kështu, edhe të gjithë administratorët e autobuzave dhe mikrobuzave të linjës Berat-Tiranë janë urdhëruar nga terminalet e linjave që të mos prenotohen me protestues pasi nuk do të pajiseshin me lejen e udhëtimit.
Mësohet se nga qarku i Beratit do ti bashkohen protestës së mesditës në Tiranë rreth 800 demokratë,70 automjete me rreth 300 protestues janë nisur nga qyteti i Beratit,230 nga qyteti i Kuçovës,140 nga Dimali, 60 nga Skrapari dhe 70 nga Poliçani. Këto shifra raportohen në bazë mjeteve që kanë raportuar nisjen, ndërkohë që të tjerë demokratë kanë preferuar udhëtimim me autobuzat e linjave,si pasagjer normal.