Në laptopin e famshëm të djalit të presidentit amerikan, Hunter Biden, nuk ndodhet vetëm emri i Charles McGonigal, ish-zyrtarit të lartë të FBI, por edhe i këshilltarit jozyrtar të Edi Ramës, Dorian Duçkës
Në rrjetet sociale është publikuar një email i djalit të diskredituar të presidentit amerikan, Hunter Biden, ku Dorian Duçka i dërgon një ftesë për ta ndjekur në rrjetet sociale.
Edhe pse këshilltar informal, ai qëndron në paradhomën e Ramës dhe përdor të gjithë elementët qeveritarë, që nga emaili zyrtar dhe deri te pasaporta dipomatike, për të vepruar si njeriu i ngushtë i Ramës.
Ndërkohë më herët, gazetat publikuan një tjetër lidhje mes Charls McGonigal dhe Hunter Biden.
Sipas ‘New York Post’, në emailet e laptopit të famshëm të Hunter Biden është zbuluar se fëmijët e tyre shkonin në aktivitete sportive të përbashkëta.
E shoqja e Charles, Pamela McGonigal nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për lidhjen mes tyre. “Nuk kam asnjë koment, nuk ka asnjë lidhje dhe ma hiq kameran,” tha ajo e zemëruar.
Por Charles McGonigal është i lidhur me Biden edhe përmes një rasti hetimor, shkruan gazeta. Bëhet fjalë për hetimin e FBI për shtetasin Chi Ping Patrick Ho, që u arrestua në nëntor të vitit 2017.
Në atë kohë ishte vetë McGonigal që tha se kishte siguruar prova kundër Ho, pa treguar se nga kishin ardhur provat. Ho u arrestua vetëm pak javë pasi ai dhe Biden kishin nënshkruar një marrëveshje prej 1 milion dollarësh, sipas të cilës Biden do ofronte konsulencë për ligjet amerikane.
Pak pas arrestimit, Ho bëri një telefonatë me xhaxhanë e Biden, James Biden. Ky i fundit tha se në fakt ai kërkonte të lidhej me nipin e tij dhe ai i dha kontaktin. Ho u dënua për korruptimin e zyrtarëve të lartë në Çad dhe Uganda në emër të një kompanie kineze energjetike.
Ndërkohë Dorian Duçka del bashkë me Edi Ramën në dosjen e Departamentit të Drejtësisë. Ai thuhet se punon për një konglomerat kinez. Ai ka lobuar për të korruptuar ish-zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, për interesa të ngushta financiare.
Ndërkohë kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, ka deklaruar se Personi B, Dorian Duçka, është nën hetim jo vetëm në SHBA, por edhe vetë në Kinë. Berisha tha se një avion i gjatë që pati mbërritur dikur në Rinas, ka marrë Duçkën, bashkë me Ramën dhe vëllain e tij, Olsin, për t’i dërguar në Kinë.
Por Duçka është një personazh akoma më i rrezikshëm. Para disa kohësh mediat raportuan se një eksponent i kartelit më të rrezikshëm botëror, Sinaloa, ka vizituar zyrën e kryeministrit shqiptar.
Personi që e dërgoi në zyrën e Ramës nuk ishte as më shumë dhe as më pak, por vetë Duçka. Ky ka lobuar për të korruptuar edhe ligjvënës dhe zyrtarë të tjerë jo vetëm në SHBA, por edhe në Europë, kryesisht në Gjermani.