Berisha: Veprimtaria e grupit kriminal McGonigal ka qenë shumë intensive! Hetimi parlamentar është jetik

E mërkurë, 15 February 2023 14:15

 

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së së veprimtaria e grupit kriminal të McGonigal në Shqipëri ka qenë shumë intensive.

“Parlamenti është kthyer absolutisht në kohën e diktaturës staliniste. Vetëm në diktaturë një deputet bëhej përgjegjës për ato që fliste në parlament dhe jashtë tij. Kjo po ndodh sot në këtë parlament. Ne nuk kemi bërë gjë tjetër, vetëm kemi mbrojtur interesat e zgjedhësve tanë.

 

Parlamenti është bërë i padurueshëm për qytetarët. Qytetarët kanë një neveri të jashtazakonshme. Prapë ne do qëndrojmë në parlament me vendosmërinë më të madhe.

 

Ortaku, korruptori i McGonigal nuk mund të ketë vend më si kryeministër i Shqipërisë. Ai duhet të ikë!

Ngritja e komisionit hetimor parlamentar nga opozita është jetik. Është jetik sepse veprimtaria e grupit kriminal McGonigal në Shqipëri ka qenë një veprimtari intensive, shumëplanëshe, e ngërthyer me qeveritarë, me zyrtarë, me gjykatës, me prokurorë, me gjithçka në funksion të pushtetit të Edi Ramës. Ndaj dhe natyrisht kundër sigurisë së SHBA, se çdo akt i korruptimit të tij, ka kërcënuar sigurinë e SHBA.

Vendi është në terrorin e narkoshtetit, siç e shihni. Në Sarandë zhduken gjurmët e një hoteli nga një ngarkesë tritoli që rrezikoi 30 banesa. Në Vlorë kapen mina me sahat dhe ngarkesa tritoli. Kamerat e kriminelëve, shkruante sot Financial Times, po kontrollojnë Shqipërinë. Vilat janë shndërruar në shtëpi bari kudo.

Cilido që do të njihet me një narkoshtet, e ftoj të vijë në Shqipëri. Edhe kjo përbën një imperativë të largimit të tij një minutë e më parë,” tha Berisha.

Login to post comments