“Në vlerësimin tim, PD përmes forumeve të saj, u dha përgjigje më të vendosur dhe më shkatërrimtare projekteve të Edi Ramës, të asistuara në kundërshtim flagrant me ligj dhe normë nga guvernatorja Yuri Kim, për qëllime personale, të cilat synonin largimin e PD nga zgjedhjet me moton e përbashkët: Edi Rama-McGonigal-McGonigal me fustan, për shkatërrimin e kësaj partie.
Në radhët e anëtarësisë së PD, drejtuesve të saj në qendër dhe bazë, shtabeve elektorale të kandidatëve tanë, ka një gjallërim të paparë. Mbështetja për PD-në pas këtyre akteve të turpshme dhe primitive, të cilat kanë synim çelikosjen apo konsolidimin e monizmit të kufomës politike të pakallur, që quhet Edi Rama, dështoi tërësisht.
Përkundrazi, nxitën një energjizim të madh, një frymëzim të madh, të atyre që shndërruan PD-në në parti të vërtetë opozitare, të atyre që besojnë se Shqipëria duhet të ketë pluralizëm, të atyre që besojnë në miqësinë, bashkëpunimin me vendet partnere, vendet e lira dhe jo me mafien e tyre.
Në këtë kontekst jam këtu për t’u përcjellë një përshëndetje të zjarrtë të gjithë anëtarëve, simpatizantë të PD, t’ju shpreh mirënjohje për gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre për të shumëfishuar forcat në fushatën elektorale dhe për të vazhduar betejën tonë me protesta, mosbindje civile.
Revolucioni demokratik paqësor nuk ndalon në asnjë rast,” tha Berisha.