'E pafalshme në një moment historik, kritik për demokracinë, një demokrat të çojë ujë në mullirin e Ramës'

Saturday, 01 Prill 2023 10:13

Të dashur demokrate dhe demokratë të Vaut të Dejës, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme ndaj jush, për mbështetjen e e jashtëzakonshme që keni dëshmuar në 32 vite ndaj PD. 

 

Ne ju jemi dhe do të ju jemi gjithmonë mirënjohës dhe borxhli ndaj jush.  Ndaj dhe çdo udhëtim drejt Vaut të Dejës, për ne është udhëtim drejt fitores.

 

E dashur zonja Bardeli, deputete dhe kryetare, udhëheqëse e grupit politik elektoral për bashkinë, i dashur zoti Ludovik Hasani, deputeti i Partisë Demokratike në parlamentin tonë, zoti Ndreca kryetari i PD-së për Vaun e Dejës, të dashur të pranishëm.

 
 

Ne jemi mbledhur këtu në një hark kohor të shkurtër, për të paraqitur tek ju kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ zotin Zef Hila për kryetar bashkie të Vaut të Dejës. 

Vij këtu me bindjen më të madhe se, Zef Hila, është njëri nga drejtuesit, njëri nga qeveritarët vendorë dhe menaxherët më të shkëlqyer të PD-së, në qarkun e Shkodrës dhe në mbarë Shqipërinë. 

Zef Hila është një drejtues, menaxher, i cili në të gjithë karrierën e tij, ka lënë gjurmët më të thella të ndryshimi dhe zhvillimit. Ai ka ditur të vendosë lidhjet më të mira me grupet donatore dhe të shumëfishojë investimet në këtë bashki edhe në kushtet më të vështira. Por nga ana tjetër, Zef Hila ka përdorur me transparencë të madhe çdo qindarkë të taksave tuaja.

Në parlamentin shqiptar, ai për kohën që qëndroi ishte njëri nga zërat më vokalë, më të fuqishëm, një nga avoketërit më të vendosur të interesave të qytetarëve, të fermerëve të Vaut të Dejës dhe Shqipërisë. Në një akt përgjegjësie ndaj jush, dashurie dhe respekti, Zef Hila vendos të dorëzojë mandatin dhe të rikthehet tek ju pasi në një proces që ndodhte për herë të parë pas 32 vitesh, primare, ju e votuat atë për kandidat për qytetar të parë të bashkisë tuaj.

Ju garantoj se Zef Hila kësaj radhe, si kandidat i lirisë, si një njeri që i afirmuar besimin e plotë, do e justifikojë dhe shndërrojë atë me përkushtim të madh me shërbime ndaj jush. Do të bëjë gjithçka për ndryshimin rrënjësor të gjendjes në këtë bashki, të gjendjes së banorëve të kësaj bashkie, e cila ka potenciale të jashtëzakonshme, e cila me një miradministrim mund të ndryshojë me shpejtësi gjendjen e banorëve të saj.

Me potencialet e mëdha që ka, të biznesit, të bujqësisë, të turizmit, Vau i Dejës, mund të shndërrohet dhe jam i sigurtë se do të shndërrohet nën drejtimin e Zef Hilës, në një bashkitë më të zhvilluara të vendit.

Të dashur miq! 

Ne vijmë në këto zgjedhje me 14 maj, me një entuziazëm që ka përshkruar sot mbarë vendin. Ky entuziazëm është premtim i madh se 14 maji do të jetë dita e ndryshimit të shumëpritur. 14 maji në të vërtetë është ditë zgjedhjesh së qeveritarëve vendorë, por realisht zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës tonë, janë zgjedhjet me të cilat ne më shumë se në çdo zgjedhje tjetër para atyre të 22 Marsit të 1992, firmosim për fatin e Vaut të Dejës, për fatin e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë. 

Janë zgjedhje në të cilat ne, për fatin tonë firmosim për përmbysjen e monizmit të dytë, i cili u instalua këto 8 vite në Shqipëri. Banorët e kësaj treve e dinë mirë se çfarë është monizmi për një shoqëri, për një komb. Ne përjetuam për 45 vite monizmin stalinist më të egër të Europës. 

Por sot ne përsëri përjetojmë një monizëm të plotë, një monizëm që bazohet kryekëput në vjedhjen e pamëshirë të qytetarëve shqiptarë. Në lidhjet e tmerrshme të qeveritarëve me krimin, në drogën dhe trafiqet. 

Një monizëm i cili ka asgjësuar defakto garantimin e lirive dhe të drejtave të tuaja.

Sot miqtë e mi, siç e shihni krimi godet kur të dojë, ku të dojë, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo rrugë në çdo shesh. Sot krimi vendos në rrugë, në parlament, në qeveri, në prokurime dhe në çdo gjë. 

Sot siguria e qytetarëve është inekzistente. 

Ligji për ju nuk ekziston, gjykatat sot nuk ekzistojnë, sepse secili qytetar shqiptar për të marrë një të drejtë në gjykatë, duhet të presë, 7-10-15 vite. Kjo nuk quhet drejtësi në asnjë vend të botës. Sepse çdo qytetar shqiptar për të marrë një vendim, duhet të paguajë sa ‘frëngu pulën’ për të afruar vendimin e gjykimit. Sot në tërësinë e proceseve gjyqësore, 95% të proceseve mes qytetarëve dhe narko shtetit, i fiton shteti me padrejtësi absolute. 

Sot ka një varfëri të frikshme.

Shtrëngica ekonomike të frikshme. Po pse është e frikshme, sepse vjen gjithnjë në rritje. Ne kemi qenë të varfër, nuk kemi qenë komb i mëkëmbur, por nga viti 1992 në vitin 2008, ne ja dolëm të ngrihemi nga niveli i kombeve me të ardhura të ulëta, me 200 dollarë për frymë në 1992, në nivelin e kombeve me të ardhura të mesme të larta në 2008.

Ja dolëm të kemi rrogat më të larta në rajon. Prap nuk ishim të mëkëmbur, por përmirësimi i përvitshëm ishte shpresëplotë, na mbushte me shpresë, na motivonte për të punuar, me një besim se çdo vit do të ishte më mirë. Dhe në ato vite nga viti 2007-2014 sipas institutit të sotëm të statistikave, numri i shqiptarëve në Vaun e Dejës, Shkodër dhe mbarë Shqipërinë, rritej nga viti në vit.

Çfarë ndodh sot? Nga 2014 gjer në vitin 2022 nga Vau u Dejës kanë ikur 35% e banorëve. Nga Shkodra 35 % e banorëve, nga Vlora 38% e banorëve, nga Shqipëria 35% e banorëve, pra jemi pakësuar me 1/3. Dramatike, kjo është katastrofë. Asnjë komb, kurrë nuk ka humbur në 8 vite 1/3 e popullatës së vet. 

Ne në luftën e parë botërore, kemi përjetuar pushtime nga 6 fuqi të huaja nga jugu në veri, dhe jemi pakësuar sipas statistikave më të besueshme, 10 gjer në 20 %. Kurse tani, largim masiv, dhe imagjinoni për një moment në rast se vazhdohet me këtë mënyrë. 8 vitet e ardhshme po kaq dhe pas 16 viteve kush do të mbetet në Shqipëri, sa do të mbeten në Shqipëri.

Shqipëria pra është në një rrokullisje që nuk e ka pasur kurrë në historinë e saj. A është kjo një apel që vjen nga thellësitë e kësaj toke dhe kur them thellësitë e kësaj toke, kam parasysh thellësitë e çdo shqiptari, zemrës së çdo shqiptari, që ka dashurinë me minimale për këtë vend, që jeton apo nuk jeton këtu. Të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë gjendje, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë situatë dhe kjo është në dorën tonë. 

Me 14 maj ne kemi votën tonë për të votuar ndryshimin, për të votuar shpresën, për të votuar besimin, për të votuar për vete, fëmijët, për të gjithë ata që janë larguar nga Shqipëria, për të votuar të ardhmen në këtë vend. 

Ndaj dhe ju bëj thirrje të bashkohemi, të bashkohemi sot më shumë se kurrë.

Zef Hila këtu bëri një paraqitje të shkëlqyer të abuzimeve në çdo vendim me taksat tuaja dhe çfarë fakton ajo ekspoze. Fakton se në çdo vendim të këtyre qeveritarëve, vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin. Fakton se kjo qeveri vendore, vjedh çdo ditë, çdo natë, çdo javë, çdo muaj. 

Po qeveria vendore çfarë bën thoni ju? Vjedh, vjedh në mënyrën më të paimagjinueshme. Në rast se këtu siç del nga dokumentet, janë shtuar ata që paguajnë duke mos qenë fare në punë, kjo ka ndodhur kudo në mbarë Shqipërinë. 

Do të ju jap një shembull, bashkia e Tiranës, 61% të taksave i kthen në rroga. Nuk ka në botë, u garantoj unë ju, nuk ka në botë qeverisje vendore që mund të bëjë një gjë të tillë. 

Sa i ka Shkodra, 31%. Po sigurisht, çfarë ndodh? Vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se në vitin 2022, 9 muaj e parë, qeveria, qeveritarët kanë vjedhur 122 miliardë lekë. 122 miliardë lekë janë shuma me të cilën rrogat e shqiptarëve mund të rriteshin, 130 %. Zef Hila foli këtu për mjedise që nuk ekzistojnë, për ura që janë transferuar. Po a e dini ju, në qarkun e Tiranës dhe Elbasanit janë 420 mln euro kontrata për 3 djegësadhe asnjë djegës nuk ekziston. Asnjë djegës nuk ekziston dhe prokuroria bën sikur heton, në fakt mbyll hetime. 

Sot dëgjoja prokurorin, sepse për djegësin e Tiranës në të cilin Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë vjedhur 53 milionë euro gjer tani, vetëm me tarifën e plehrave. Nuk e dimë thotë se i kujt është sipërmarrja. Por çfarë shteti është ky, po dihet se i kujt është. Po atë pronarin e vërtetë nuk e prek me dorë o zoti prokuror, por ajo jetime nuk është. Dokumentet i ka Erion Velaij, i ka Edi Rama, i ka dhe Sali Berisha dhe po të duash ditën e hënë do ti nis në prokurori. Por edhe po ti nis unë ti nuk i hap dot ato, sepse sipërmarrja është e Edi Ramës, Erion Veliajtsepse ata vjedhin dhe vetëm vjedhin aty.

Por kjo është vetëm njëra anë. 

Portin e Durrësit me vlerë 5 miliardë euro, me tokë, me truall, me detë me të gjitha. Ka gjetur një arab dhe tani edhe ky do të bëhet miliarder si arabi. Shkëput portin, transferon portin. Çfarë ndodh me të gjitha këto. Pasuritë, fondet në vend që të shndërrohen në mirësi për ju, në mirëqënie për ju, në shërbime për ju, shndërrohen në ndëshkim për ju, në mallkim për ju. 

Ndaj dhe Shqipëria, braktiset e vetëm braktiset. 

Dje lexoja, 82 % e shqiptarëve, duan të largohen nga Shqipëria. Po pse duan të largohen, sepse nuk shohin shpresë, se ju vjen çdo javë, çdo muaj dhe çdo vit më e rëndë. A nuk është kjo një thirrje për të gjithë ne të betohemi që të bëjmë gjithçka në 14 maj për të ndryshuar Shqipërinë, për të votuar Zef Hilën për të votuar ndryshimin.

Ju jeni njerëz punëtorë, shumë punëtorë. Fermat tuaja çdo vit dhe më në vështirësi, sepse ju jeni fermerët më të braktisur në Europë po e po, por ndofta edhe në botë. Nuk ka vend me ekonomi tregu, vend në botë me ekonomi tregu që nuk subvencionon prodhimin bujqësor, që nuk subvencionon sipërfaqen dhe çdo prodhim qoftë në bujqësi, qoftë në blegtori. Dhe nuk ka vend që humbet me subvencionimin. Jo, ti subvencionon, fiton shteti, fiton fermeri. Kjo është e faktuar. 

Çfarë ndodh me fermerët shqiptarë. E kishin 5.1 miliardë 1 vit më parë shumën e subvencionit, e kanë zbritur në 3.2 miliardë, dhe atë siç e tha Zefi, gjysmën e vjedhin naftë, gjysmën e vjedhin punime të tjera dhe fermerëve u shkon me pikatore, pak ose asgjë. 

Ja ku është Kosova, 400 euro për hektarë gruri, paguhen për sipërfaqen, paguhen për imputet plehrat, paguhen për kilogramë prodhimi. 1000 euro për serat, 500 euro për zarzavatet në fushë, 90 euro për lopën, 25 euro për dhinë, derrin, delen, bletën, për çdo gjë. 

Por Kosova e ka buxhetin 2 herë më të vogël se Shqipëria, por qeveria e Kosovës është një qeveri e përgjegjshme, e cila ato taksa që mbledh ua kthen, ua kthen në rroga, i kthen në subvencione dhe në këtë mënyrë ekonomia rritet edhe më shumë e të ardhurat shtohen. Asnjë vend nuk humbet nga kjo. 

Kurse këta i braktisën fermerët, therje masive të lopëve të rracës, investime të shkëlqyera që kanë bërë. A mund të vazhdojmë kështu? Jo nuk mund të vazhdojmë kështu. Duhet të ngrihemi në nivelin e përgjegjësive tona. Vërtetë mund të vijë të ofrojë 100 euro, 300 euro për votën, por të garantoj se të ka mjeruar 4 vite, ti ka marrë ato euro 5 herë në forma tjera. Është koha të bashkohemi.

Këtu dua të falënderoj të gjithë demokratët që gjetën frymën e bashkimit dhe kanë vendosur të votojnë, Zef Hilën si kandidatin e primareve, si kandidatin e vërtetë të opozitës shqiptare. 

Dua ti them dy fjalë, kandidates dhe kandidatit tjetër. Të dy jeni kandidatë të Tom Doshit. Ua thashë dhe herën e parë. PS-ja ja ka dhënë me koncesion Tomës, kandidatin. 

Është e pafalshme në një moment historik për vendin, në një moment kritik për demokracinë shqiptare që një demokrat të çojë ujë në mullirin e Edi Ramës, që të bëhet një patericë e atij regjimi që po shkreton Shqipërinë çdo ditë. Ndaj dhe ftoj përsëri çdo demokrat, në Vaun e Dejës dhe kudo, të mendojnë, prap ka kohë të mendojnë dhe votat e tyre ti bashkojnë. Të mos harrojnë kurrë se geni i kësaj partie është pluralizmi, se trashëgimia jonë është pluralizmi, se merita jonë është demokracia dhe ne erdhëm në skenën politike si parti e pluralizmit, si parti e demokracisë, si parti e lirisë së shqiptarëve, ndaj dhe ne të bashkohemi. 

Me 14 maj të votojmë Zef Hilën, të votojmë ndryshimin, të votojmë të ardhmen, të votojmë për Shqipërinë.

Rrofshi ju, rroftë Vau i Dejës, rroftë Shqipëria! 

Login to post comments