Berisha në Tropojë: Sa erdhi në pushtet, Rama anuloi ligjin që nxiste investimet në zonat malore

Tuesday, 04 Prill 2023 12:50



Kryetari demokrat, Sali Berisha, në një takim entuziast në Tropojë, deklaroi se kryeministri Edi Rama e ka diskriminuar këtë zonë, por edhe gjithë veriun në tërësi.

“Mirënjohja ime është e pakufishme për ju, për malësorët kudo që janë sot, për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme, rolin epik që keni luajtur në histori, për mbështetjen e madhe që i keni dhënë demokracisë shqiptare, çështjes shqiptare. Ky vend, kjo zonë, kjo krahinë, po të kishte një emër të dytë, do të quhej Malësia Epike. Natyra e saj është magjia e bukurive natyrore. Sa herë vij këtu, pavarësisht nga orët e rrugës, çdo kilometër më i bëhet më i lehtë. Vitet ikin, fluturojnë. Mbetem i magjepsur, i mahnitur!

 

Sot kam ardhur këtu tek ju për të paraqitur si kandidat për kryetar të bashkisë së Tropojës, zotin Besnik Dushaj, njërin nga demokratët më të vendosur, njërin nga pasardhësit e një familje të nderuar, njërin nga qeveritarët vendorë më të talentuar, njeriun me virtyte, që punoi me përkushtim të madh për ndryshimin e kësaj treve, për zhvillimin e saj.

 

Kam ardhur këtu ballëhapur, jo vetëm për trashëgiminë e punës dhe familjare që Besniku ka, por se kësaj radhe, Admir Sinamati të cilin e përshëndes përzemërsisht, Myftar Dauti që na pret në Has, i paraqesim kandidatë të lirisë, kandidatë të votës suaj, kandidatë të primareve.

Unë e di se procesi i primareve, i pari në 32 vite, nuk ishte i përsosur, por u garantoj ju se ai do bëhet gjithnjë e më i përsosur. Kurrë PD nuk do emërojë kryetarin tuaj, kryetarin e bashkisë suaj, deputetin tuaj, por ju e vetëm ju me vullnetin tuaj do i zgjidhni ata.

Ta pyesim pak Rexhën, ti kandidat i kujt je? Cili socialist të ka zgjedhur ty? Cili qytetar i katij rrethi të ka votuar ty? Nga dole ti? Nga sirtaret e Edi Ramës. Kudo që shkojmë, përballen kandidatët e lirisë me kandidatët e bodrumeve të mafies,” tha Berisha.

“Këto zgjedhje vërtet janë për qeverisjen vendore, por besoj se e keni të qartë se këto janë zgjedhjet e jetës sonë. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që kemi zhvilluar nga viti 1992 deri më sot.

Këto janë zgjedhje në të cilat ne shkojmë si misionarë të vërtetë për të firmosur me votën tonë, përmbysjen e sistemit monist të vendosur pas 32 vitesh në Shqipëri. Monizmin e Edi Ramës, monizëm që bazohet te barbaritë e krimit, te vjedhja, droga, te gjenocidi i vërtetë ndaj shqiptarëve.

Sot, pas 10 vitesh, shqiptarët ndodhen në kushtet në të cilat nuk kanë qenë kurrë në ekzistencën e tyre kombëtare. Sot, në një hark kohor 8-vjeçar, nga 2014-a deri më sot, 35 përqind e shqiptarëve kanë braktisur Shqipërinë. 40 përqind e tropojasve kanë braktisur Shqipërinë. Asnjë prej tyre nuk ka braktisur këtë vend dhe këtë tokë se nuk e do, se nuk ka mall për familjen e tij, për tokën ku ka lindur. Të gjithë e kanë braktisur sepse këtë tokë, këto troje, Edi Rama i ka shndërruar në tokë të mallkuar për shqiptarët.

Edi Rama është sjellë ndaj shqiptarëve si një pushtues i egër. Ai ka krijuar kushte të kalkulueshme për braktisjen e Shqipërisë. Dhe ky quhet gjenocid. Këtë nuk e kanë realizuar të gjithë pushtuesit e të gjitha kohërave mbi Shqipërinë.

Tropoja, Malësia e Gjakovës, Nikaj-Mërturi, Lugina e Tropojës, kanë pasuritë e tyre, por për të gjithë këtë trevë, pasurinë më përrallore janë alpet, janë bjeshkët, janë potenciali i tyre i jashtëzakonshëm turistik.

Më thoni mua në 10 vite, përveçse janë asfaltuar 10 km rrugë, çfarë investimesh ka bërë kjo qeveri për alpet dhe banorët e tyre? Zero, përkundrazi në vitin 2013 ne hoqëm për 8 vite taksat për çdo investim në zonat malore.

Ligji i parë që ndryshoi, ishte anulimi i këtij ligji. Ndaj dhe sot, alpet kanë mbetur aty ku ishin. Megjithatë unë do përgëzoj Besnikun dhe ata biznesmenë tropojas, që ndërtuan Unazën e Bjeshkëve,” tha kreu demokrat.

Login to post comments