'Lana e pastër dhe korridor i gjelbër, 500 oaze në lagjet e Tiranës': Belind Këlliçi paraqet Programin për Mjedisin

Premte, 07 Prill 2023 15:55

 

 
 
 

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi prezantoi programin e tij për mjedisin dhe pyjet në Tiranë. Në një tryezë me përfaqësues të botës akademike dhe shoqërisë civile, Këlliçi tregoi planin ambicioz për të përmirësuar cilësinë e ajrit, ujërave dhe tokës në Tiranë. Që në nisje të preznatimit të programit, Belind Këlliçi evidentoi faktin se gjatë 8 viteve Tirana është kthyer në një nga qytetet me më pak hapësira të gjelbërta, për shkak të hapjes së shesheve të ndërtimit për kulla. 

“Në Tiranë në 8 vitetet e fundit janë zhdukur rreth 520 mijë metra katror gjelbërim, për t`i hapur rrugë ndërtimit, betonizimit të kryeqytetit edhe për ta shndërruar Tiranën në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave. Tirana për fatin tonë të keq është një ndër 10 qytetet më të ndotura në botë, një ndër 10 kryeqytetet më të ndotura të Europës. Ndotja në vetvete është pasojë e betonizimit padiskutim, pakjes së gjelbërimit dhe trafikut të rënduar”-tha Këlliçi.

 
 
 
 
 


 Si pikë kyçe e programit për mjedisin dhe pyjet, është ndalimi i derdhjes së ujërave të zeza në lumin Lanë. 

 
 
 
 

Belind Këlliçi tregoi sesi do të realizohet kjo. 

 
 

“Lumi Lana, brenda mandatit të parë, do të kthehet në një hapësirë pushimi dhe rekreacioni. Ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lanë, në liqenin artificial apo atë të Farkës. Në segmentin lumor, nga “Materniteti i Ri” e deri te “Pallati me Shigjeta”, kudo ku të saktësojnë ekspertët e fushës, do të shtrohen tuba në skarpatën e lumit, që do të mundësojnë kalimin e ujërave të zeza nga daljet e deritanishme me dy kolektorë me kapacitet të madh, të cilët do të lidhen me impiantin e ujërave të zeza në Kashar”-u shpreh kandidati opozitës për bashkinë e Tiranës. 
 
Një tjetër angazhim ambicioz, është ai për ndërtimin e 500 parqeve të gjelbërta në lagjet e kryeqytetit. Belind Këlliçi u shpreh se këto oaze do ta bëjnë qytetin një vend të jetueshëm për të gjithë qytetarët. 

“Ajo çka ne propozojmë, që janë 500 oaze të gjelbërta, apo 500 vendpushime në qytet, nga nji për secilën lagje. Nëpërmjet tyre do ta transformojmë Tiranën nga një qytet i keqplanifikuar, i mbytur në beton, në një qytet të jetueshëm modern, që i jep përparësi qytetarëve duke u mundësuar hapësira të gjelbërta pranë shtëpisë së tyre dhe pranë komuniteti ku ka banorë”-tha Këlliçi. 
 
Lidhur me këtë projekt, Belind Këlliçi prezantoi edhe kostot, që sipas tij, nuk shkojnë më shumë se 5 milionë euro në total. 

Login to post comments