Ndërsa disa qeveri dhe diplomaci të Perëndimit vazhdojnë të shohin ëndrra me sy hapur sikur po ia marrin Serbinë nga shtrati presidentit rus Putin, Rusia ka hyrë dhe po iu merrr prapavijat dalëngadalë në shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan.
Diversioni elektoral antiatlantik rus, që u shfaq i suksesshëm në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016 dhe në referendumin për Brexit-in në Britaninë e Madhe, shtriu më me sukses tentakulat e tij në shtetet ballkanike anëtare të NATO-s. Në 2 prill diversioni elektoral rus në prapavijat atlantike në Ballkan shënoi sukses të ri me zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi dhe me zgjedhjet parlamentare në Bullgari.
Të gjithë ekspertët seriozë të analizës dhe të diplomacisë janë të detyruar të pohojnë se me rastin e këtyre zgjedhjeve në dy shtetet ballkanike të NATO-s shihet një dobësim i pozitave politike dhe strategjike të atlantizmit dhe të europeizmit në rajon, shoqëruar me një forcim të filorusizmit.
Në dy shtetet e NATO-s në rajon diversioni elektoral rus punoi me dy skema. Në Malin e Zi, pasi kishte siguruar instalimin e qeverisë proserbe dhe proruse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, inxhinjeringu elektoral dhe subversiv serbo-rus siguroi tani edhe bastionin e fundit të pushtetit me presidentin e ri.
Në Bullgari skema ruse ishte në kahun e kundërt, ku pasi inxhinjeringu elektoral rus siguroi instalimin e presidentit prorus Rumen Radev në 2016, tani punoi për avancimin në plan të parë politik të partive proruse. Me zgjedhjet e tanishme parlamentare Moska siguroi që partia ruse “Vazrazhdenia” të dalë forca e tretë politike në Bullgari.
Suksesi i diversionit elektoral rus është kaq publik, sa që edhe gazeta ruse “Vzgljad” afishonte qysh në titull për zgjedhjet presidenciale malazeze se “Rënia e NATO-s fillon nga Mali i Zi”. Radio shtetërore amerikane “Svoboda” në 2 prill e cilësonte Jakov Milatoviçin “kandidati i forcave proserbe dhe proruse”. Ndërsa media ukrainase “Europejskaja pravda” shtronte në 3 prill pyetjen: “A do të bëhet presidenti i ri i Malit të Zi” kali i Trojës i Putinit?”.
Entusiazmi qeveritar është i madh në Serbi dhe në Rusi, sepse ata e kurorëzuan me sukses dhe e mbyllën ciklin antiatlantik, duke instaluar edhe qeverinë, edhe presidentin të orientuar nga Serbia dhe Rusia. I gjithë ky operacion strategjik antiperëndimor u realizua nëpërmjet instrumentalizimit të kishës ortodokse serbe dhe rrjetit të shërbimit sekret serb në Malin e Zi.
Janë forcat politike serbe në udhëheqje të ndryshimit qeveritar dhe presidencial antiatlantik në Malin e Zi. Janë forcat, që kanë në programin e tyre politik daljen e vendit nga NATO, ç’njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës dhe heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Kushdo që ishte i pranishëm në festimet e bujshme të fitores së presidentit të ri Jakov Milatoviç në natën e 2 prillit në Malin e Zi, i dukesh sikur ishte në Serbi, sepse në skenën zyrtare të festimit bashkë me presidentin e ri ishte e tërë garnitura qeveritare serbe e Malit të Zi prej vitit 2020, që nga ish- kryeministri Krivokapiç, çetniku Mandiç i “Frontit demokratik” serb e deri te shqiptari i kishës ortodokse serbe, Abazoviç.
Agjencia kroate e lajmeve “Hina” njoftonte në 2 prill nga Mali i Zi se festimet u bënë me flamujtë serbë dhe duke kënduar këngë nacionaliste serbe. Madje në Berane shpalosën në rrugët e qytetit edhe një flamur serb 120 metra të gjatë, që ta shihte mirë e gjithë bota perëndimore se kush kishte fituar në Podgoricë. Zgjedhjet presidenciale shkaktuan një festim masiv serb, sepse ishin një fitore e Serbisë.
Vetë Jakov Milatoviç është serb etnik dhe produkt politik i kishës ortodokse serbe në Malin e Zi, e cila e ka përkrahur intensivisht dhe madje shkeli edhe heshtjen zgjedhore, duke u bërë thirrje besimtarëve ortodoksë të votojnë për të. Është lehtë të konstatosh pompimin artificial dhe shpejtësinë laboratorike të ngritjes politike artificiale në pallatin e pushtetit të Milatoviçit, i cili në qershor të vitit 2022 krijon partinë e re “Europa now” dhe pa qenë as parti parlamentare befas në nëntor 2022 fiton zgjedhjet lokale në kryeqytet, dhe në 2 prill 2023 del president i Malit të Zi.
Për fitoren e tij u mobilizua zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i jashtëm serb Daçiç, i cili para raundit të dytë presidencial u bëri thirrje serbëve të votojnë për Milatoviçin. Të gjitha forcat politike proserbe në Mal të Zi, të majta dhe të djathta, u bashkuan në front militant për zgjedhjen e tij.
Gazeta e njohur ruse “Kommersant” shkruante në 3 prill: “Milatoviçin e quajnë “i ardhuri nga pankina”. Serbia e mbeshteti aktivisht liderin e “Europa Now”, sepse e konsideron Malin e Zi pjesë të “botës serbe”. Po të llogarisësh se katër nga pesë televizionet kombëtare në Mal të Zi janë në duart e Serbisë, dominimi i tij në efir ishte superior. Për zgjedhjen e tij bëri thirrje hapur kisha ortodokse serbe”.
Radio shtetërore gjermane “Dojçe Vele” shkruante në 4 prill se në mediat ballkanike Milatoviçin e quajnë “të sheshelizuar” për shkak të përkrahjes, që i dha atij lideri i partisë radikale serbe Vojislav Sheshel. Madje i pari që e uroi për zgjedhjen si president ishte udhëheqësi fashist i separatizmit serb në Bosnje, Milorad Dodik.
Suksesi i inxhinjeringut serb dhe rus në Malin e Zi krijon një kuadër të ri jo të favorshëm gjeopolitik në Malin e Zi si shtet me lidhje të dobët me arkitekturën atlantike të sigurisë në Ballkan. Nuk është rastësi që presidenti i ri Milatoviç i një shteti anëtar të NATO-s gjatë gjithë fushatës së tij parazgjedhore nuk e përmendi asnjëherë agresionin rus në Ukrainë e jo më ta dënonte.
Një nga liderët e partisë serbe “Fronti Demokratik”, në sajë të së cilës saj u realizua fitorja e Milatoviçit, Milan Knezheviç, i cili është edhe kryetar i komisionit parlamentar të sigurisë dhe e mbrojtjes, i deklaroi në 4 prill gazetës ruse ”Izvestia” se Mali i Zi nuk do t’ia transferojë Ukrainës asetet e sekuestruara ruse në Malin e Zi. Ai theksoi se “Rusia gjatë shekujve ka qenë aleati dhe mbrojtësi ynë dhe Rusia krijoi shtetin e Malit të Zi pas Kongresit të Berlinit”.
Është e lexueshme se me zgjedhjen e presidentit të ri filoserb në Malin e Zi i pëson goditje jo vetëm pavarësia dhe identiteti kombëtar, shtetëror, kulturor, fetar, etj. malazez, por edhe kohezioni atlantik i vendit si anëtar i NATO-s.
Asnjë demagogji apo retorikë vulgare e organizuar nga rrjeti i fuqishëm propagandistik serbo-rus nuk mund ta shesë si vlerë demokratike apo perëndimore ndryshimin presidencial në Podgoricë. Me këtë ndryshim ka fituar hapësirë orientimi proserb dhe prorus, i cili sëbashku me orientimin proserb dhe prorus të qeverisë aktuale, mund ta fusin Malin e Zi në rrugë të rrezikëshme të aneksimit nga “bota serbe”.
Reklama katundareske ballkanike se presidenti i ri malazez ka bërë gjashtë muaj kurs në Amerikë apo masterin në Angli, nuk mallëngjen më njeri në kohën që prej 30 vitesh pas shembjes së perdes së hekurt me qidra mijra të rij e të reja nga vendet ish-komuniste janë lauruar në universitetet më të mira në SHBA dhe në Europë.
Nga ana tjetër diplomat apo çertifikatat shkollore perëndimore nuk janë dëshmi virgjërie politike perëndimore për politikanët lindorë. Sepse edhe Millosheviçi kishte punuar dy vjet në sektorin bankar në Nju Jork para se të bëhej president, edhe kryetari i shtetit kanibalesk polpotian në Kamboxhia, Kieu Samfan, ishte lauruar në Paris, etj.
E njejta skemë avancuese elektorale e dobësimit atlantik vërehet edhe pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari, ku partia ruse dhe antiperëndimore “Vazrazhdanie” doli forca e tretë politike në vend. Një befasi elektorale si produkt i diversionit eletoral rus. Në kohën që asnjëra nga dy partitë politike, që zunë dy vendet e para nuk janë në gjendje të krijojnë qeveri, por duhet të krijojnë koalicion qeveritar, del në skenë edhe mundësia e përfshirjes së partisë së tretë ruse “Vazrazhdanie” në ndonje koalicion qeveritar.
Në 3 prill gazeta franceze “Les Echos” shkruante: “Në Bullgari ka lindur rreziku i ardhjes së një qeverie proruse”. Politologu bullgar Dejan Kjuranov, në një intervistë me gazetën ruse “Pravda” në 3 prill theksonte: “Bullgaria përsëri ndodhet përpara zgjedhjes vendimtare: Të kthehet në sferën e ndikimit të Rusisë apo ruajtjen në orbitën e BE”.
Fakti që në dy vjet janë zhvilluar pesë palë zgjedhje parlamentare dhe ende nuk del një forcë politike bindëse që të krijojë një qeveri proeuropiane dhe proatlantike, duket më shumë si një sabotim elektoral rus për të mos lejuar konsolidimin e jetës politike të vendit në rrugën euratlantike. Ky pastabilitet elektoral i jep hapësirë për pushtet presidentit filorus Radev, i cili në pesë vjet ka emëruar vazhdimisht qeveri teknike mbi bazën e dobësimit të forcave proeuropiane dhe proatlantike.
Presidenti ka dalë hapur kundër bashkimit të Bullgarisë me ndihmat ushtarake të NATO-s dhe të BE për Ukrainën. Pastabiliteti elektoral dhe politik i shërben presidentit për të shndrruar defakto vendin në një republikë presidenciale të prirur nga Rusia.
Karakteristikë e përbashkët e diversionit elektoral rus në Mal të Zi dhe në Bullgari është përpjekja për të forcuar kursin prorus dhe për të dobësuar kursin atlantik. Strategjia e Rusisë është që në të dy këto shtete të avancohen dhe të konsolidohen forcat politike me prirje proruse dhe në kushtet e tanishme të adoptohen prej tyre qendrimet neutrale në konfliktin actual gjeopolitik midis Rusisë dhe NATO-s për agresionin ushtarak rus në Ukrainë.
Është e qartë se i ashtuquajturi neutralitet apo balancim në dy shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan i intereson Rusisë për zbutjen e izolimit të saj ndëkombëtar si dhe për futjen e përçarjes në rradhët e aleancës atlantike. Mësimi tjetër, që del nga këto zgjedhje në dy shtete ballkanike të NATO-s, është se diversioni elektoral rus apo ndërhyrja elektorale ruse nuk ka baza ideologjike. Ajo përfshin partitë dhe forcat politike të të gjitha llojeve, të majta dhe të djathta.
Një mësim dëshpërues nga këto zgjedhje është sjellja joadeguate e diplomacisë së disa shteteve perëndimore në situatat e komplikuara të jetës elektorale dhe politike në vendet ballkanike të NATO-s. Është jo bindëse sjellja e disa diplomacive perëndimore, që dolën në mbështetje të zgjedhjes së Jakov Milatoviçit si president.
Kemi një rebus diplomatik ose siç e quan gazeta ruse “Kommersant” e datës 3 prill “Paradoksi i përkrahjes së Milatoviçit njëkohësisht edhe nga ambasadat perëndimore, edhe nga Serbia”. Është e dhimbshme të lexosh shpjegimin, që jepet në disa qarqe diplomatike e mediatike për këtë paradoks. Siç deklaron drejtori i radiostacionit malazez “Antena M.”, Darko Shukoviç, në një interviste me shtypin rus në 3 prill: “Në lojën gjeopolitike Malit të Zi i është caktuar që të bëhet kompensimi i Serbisë dhe i presidentit të saj Vuçiç për humbjen e Kosovës”.
Do të ishte vërtet një taktikë dhe strategji humbëse e zgjedhur nga diplomacia europiane për të shpërblyer politikën shoviniste të Vuçiçt me aneksimin e Malit të Zi nëpërmjet “botës serbe”, me aneksimin e Veriut të Kosovës nëpërmjet të ashtquajturës “zajednicë e komunave serbe” apo me aneksimin e “serpska republikës” të Bosnje-Hercegovinës.
Në lojrat gjeopolitike në Ballkan po luajnë një rol gjithnjë e më të madh diversionet dhe intrigat elektorale jashtëballkanike dhe sidomos të Rusisë.
Deri tani duket se qeveritë dhe diplomacitë perëndimore nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur ndërhyrjes elektorale ruse në vendet ballkanike të NATO-s. Nga kjo, sipas zhvillimeve të reja, realisht më e forcuar po del Rusia, siç dëshmojnë edhe zgjedhjet e fundit presidenciale në Malin e Zi dhe zgjedhjet parlamentare në Bullgari