Meta: Igli Cara është shpëtimtari i Durrësit, më 14 maj i themi PO ndryshimit

Saturday, 08 Prill 2023 12:22
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha në tubimin për prezantimin e kandidatit të opozitës në Durrës, Igli Cara, se qyteti bregdetar do votojë ndryshimin më 14 maj.

“Ndryshim për të shpëtuar Durrësin nga një bandë që e plaçkit Durrësin, për llogari të një bande më të madhe në Tiranë, të Edi Ramës dhe inceneratorëve.

Mjaftojnë 10 milionë euro, që kalojnë me një firmë nga Bashkia e Durrësit për të paguar inceneratorët e Edi Ramës, për të zgjidhur hallet e mëdha të Spitallës, Kënetës, Plazhit, ku popullsia është rritur dhe shërbimet publike mungojnë.

Secili nga ju sot është Igli deri më 14 maj, sepse Igli vjen nga vota juaj e lirë dhe transparente, nga procesi më demokratik që ka ndodhur gjeri më sot, siç është ai i primareve, ndaj gëzon mbështetjen e të gjithëve.

 

Igli Cara gëzon mbështetjen të gjithë qytetarëve që e duan Durrësin.

Shpëtimtari i Durrësit është Igli Cara dhe të gjithë ju. Është një politikan model, është i vetmi deputet i Durrësit, që ka paralajmëruar se nga babëzia e lejeve të ndërtimit, një tërmet do sillte viktima.

Për fat të keq, tërmeti ndodhi dhe ata njerëz e humbën jetën për shkak të korrupsionit të lejeve të ndërtimit dhe babëzisë së bandës së Rilindjes.

Durrësi më 14 maj do votojë për triumfin e qytetarisë mbi arrogancën dhe mashtrimin.

Le të vazhdojmë kështu siç jemi të bashkuar deri më 14 maj për t’i dhënë po ndryshimit duke votuar Igli Carën,” tha Meta.

Login to post comments