Berisha: Rinia do jetë prioriteti kryesor i qeverisjes së PD, rikthimi i tretë do të jetë më i suksesshmi

Hënë, 10 Prill 2023 12:32

 

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në median sociale, se rikthimi i tretë i tij do jetë më i suksesshmi.

“Rikthimi i tretë i Sali Berishës në qeverisje do jetë më i suksesshmi.

 

Do e krahasoj edhe njëherë me Steve Jobs, i cili pasi e larguan nga ndërmarrja e tij, u rikthye dhe i bëri botës iPod, iPad dhe iPhone.

Një rikthim i tretë do ketë momente kulmore, gjithçka në interes të shqiptarëve.

Ne arritëm me ato reforma ekonomike që ju thoni, të kalojmë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Arritëm të jemi njerëzit më të paguar në Ballkan, madje më të paguar se bullgarët dhe rumunët. Objektivi ynë ishte të kapnim sllovenët se ata janë me rroga më afër me vendet e 15-shes së BE.

Ku e bazoja unë këtë objektiv?

Asnjë vend në Ballkan, as Sllovenia, as Serbia, nuk ka pasuri përrallore të Shqipërisë. Në këtë kontekst, është në detyrën e një qeverie që këto pasuri t’i kthejë një mirësi, në mirëqenie, në rroga, në pensione, begati dhe progres të qytetarëve.

Kështu që unë mbetem i sigurt në realizimin e këtyre objektivave,” tha Berisha.

Kryetari demokrat tha se rinia do jetë prioritet i të gjitha prioriteteve në qeverisjen e PD

“Çështja më themelore që duhet të zgjidhë PD nesër në pushtet është rikthimi i besimit te të rinjtë shqiptarë dhe te shqiptarët në tërësi, se e ardhmja mund të ndërtohet në Shqipëri dhe se Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri mahnitëse.

Nuk ka diskutim se rinia do jetë prioritet i të gjitha prioriteteve.

Së pari, një mundësi reale që të shkollohen në të gjitha shkallët e arsimit.

Së dyti, një përpjekje e gjithanshme për punësimin e tyre, një sistem kreditimi për strehimin dhe bizneset e tyre, bonuse për sipërmarrësit që punësojnë të rinjtë.

Pra, një kompleks masash, të cilat jo vetëm do bëjnë që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria, por kam besim se qindra dhe mijëra të rinj të rikthehen në këtë vend për të ndërtuar të ardhmen e tyre,” tha Berisha.

Login to post comments