Tenderi korruptiv në bashkinë Tiranë përfundoi me dhunë, PD ka disa pyetje për strukturat shtetërore

Tuesday, 11 Prill 2023 15:10

 

Një tender i bashkisë së Tiranës për “Blerje lëndësh djegëse për ngrohje në objektet arsimore”, përfundoi në dhunë dhe kërcënime, si dhe me arrestimin e ofertuesve. Por, kështu shkojnë gjërat kur tenderat janë korruptivë dhe konkurrenca ia le vendin hileve dhe forcës, tha sot në një deklaratë, z. Klevis Balliu, Sekretar i Organizimit në PD, i cili ngriti disa pyetje.

"Për të kuptuar natyrën korruptive të tenderit dhe dhënësve të tij mjafton një element, - vërejti para mediave,z. Balliu. - Buletini i Agjencisë së Prokurimit Publik nr. 32, datë 11 prill 2023, pra i datës së sotme, publikon formularin e njoftimit të fituesit nga Bashkia Tiranë. Pra, menjëherë pas daljes në media të veprimeve korruptive dhe kriminale të tenderit fiktiv.

 

Është në traditën e Bashkisë që i njofton tenderat publikisht vetëm kur në media dalin informacione, apo kur konkurentët në tender kërcënojnë njëri-tjetrin dhe pazaret prishen e bëhen publike.

Partia Demokratike e Shqipërisë ka disa pyetje për strukturat shtetërore:

Përse nga asnjë strukturë e specializuar, SPAK, BKH, Prokurori e Përgjithshme, etj, nuk hapet çështja penale për një skandal të përmasave të tilla, ku ofertuesit pjesëmarrës kërcënohen me njëri tjetrin?

Si ka mundësi që nga SPAK–u nuk konstatohen asnjëherë shkelje në tenderat abuziv dhe fiktiv që zhvillohen nga Bashkia Tiranë?

Përse SPAK-u nuk e heton një tender të tillë abuziv, i cili është hapur në datë 10 Mars 2023, ndërkohë njoftimi i fituesit paraprak është publikuar sot në datë 11 Prill 2023?

Sa ditë i duhen komisionit të vlerësimit të ofertave të Autoritetit Kontraktor për të vlerësuar një tender të tillë abuziv?

Përse vlerësimi i ofertave është bërë pas 33 ditësh, apo ju la kohë ofertuesve që të kërcënoheshin me njëri tjetrin?

Përse vlerësimi u shpall në Buletinin e datës së sotme, menjëherë sapo u konfliktuan personat pjesëmarrës në tender?

Përse Bashkia Tiranë i lë ofertuesit që të konfiktohen me njëri tjetrin, ndërkohë që ligji i prokurimit publik ka të parashikuar qartë afatet e vlerësimit të ofertave pjesëmarrëse?

Përse nga asnjë instancë ligjzbatuese nuk verifikohet rasti konkret, se si është përllogaritur vlera e fondit limit?

A e dinë instancat ligjzbatuese se vlera për një kilogram pelet është përllogaritur në tender disa herë më e lartë se sa ky produkt shitet aktualisht me pakicë në treg?

Si ka mundësi që oferta fituese është ulur nga fondi limit rreth 325 milon lekë pa TVSH?

Përse nga Bashkia Tiranë u zhvillua një tender i tillë, me një shpejtësi të çuditshme, përpara zgjedhjeve, ndërkohë përpara janë muajt e verës dhe dimri do kohë që të vijë, si dhe për më tepër, kur ngrohja në kopshte, çerdhe dhe shkolla mungon?

Të nderuar bashkëqyetarë të Tiranës dhe taksapagues:

Qëllimi i hajdutëve në ikje, është zhvillimi i prokurimeve fiktive, me qëllim që vjedhja të jetë sa më e madhe, sepse Lavatriçja e Tiranës i do paratë për të blerë votat.

Të nderuar prindër, kjo është arsyeja përse mungon ngrohja në shkolla, kopshte dhe çerdhe, sepse hajdutëve nuk u interesojnë fëmijët tuaj, por paratë në xhepat e tyre dhe për fëmijët e vet dhe të atyre me të cilët ndajnë paratë që u vjedhin ju.

Është hera e dytë radhazi, si në rastin e denoncuar nga Belind Këlliçi, për rrugën Xhon Belushi, që u anullua menjëherë sapo u denoncua se po zhvillohej tender fiktiv.
Këto marifete në vjedhje dhe në propagandë duhet t’ju dalin parasysh më 14 maj kur të hidhni votën. Ndryshimi është në duart tuaja< nënvizoi në përfundim Sekretari i Organizimit në PD.

Login to post comments