Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Pogradeci, Ilir Meta vërejti se “marrëzia e Edi Ramës për të shpikur veten gjoja si kandidat dhe për të na ftuar gjoja në këtë ndeshje, zotin Berisha dhe mua, është thjesht pranim i falimentimit të plotë të monizmit vendor të Rilindjes”.
Ne në Tiranë e kemi një emër, ai është emri i Belind Këlliçit dhe për atë do të votojnë qytetarët e Tiranës. Në Durrës kemi Igli Carën. Në Elbasan – Luçiano Boçin. Në Korçë, profesoren e nderuar Ledina Aliolli dhe kjo është beteja e zgjedhjeve vendore.
Marrëzia e Edi Ramës për të shpikur veten gjoja si kandidat dhe për të na ftuar gjoja në këtë ndeshje, zotin Berisha dhe mua, kjo është thjesht pranim i falimentimit të plotë të monizmit vendor të Rilindjes në këto 4 vite, sepse ai nuk ka asnjë kandidat që mund të dalë përballë kandidatëve tanë.
Të dalë kandidati i tij i Tiranës përballë kandidatit tonë Belind Këlliçi; ky e ka ftuar e do t’ia argumentojë ai se si garantohet transporti falas për 200 mijë qytetarë të Tiranës çdo ditë. Do t’ia tregojë ai se ku do t’i gjejë lekët nga buxheti aktual i bashkisë së Tiranës.
Të dalë kandidati i tij në Durrës përballë kandidatit tonë, Igli Carës! Ngeli karrigia bosh dje në emisionin ku ishte ftuar prof. Luçiano Boçi me kandidatin e tyre të Elbasanit!
Tani ai nuk e mbulon dot, sado që të përpiqet faktin që në katër vjet, qeverisja absolute e Rilindjes ishte një dështim absolut, ishte një korrupsion absolut. Sa kryetarë bashkish janë nëpër burgje?! Sa kryetarë bashkish u zëvendësuan?!” ngriti pyetjen, Ilir Meta.