Alibeaj & Co janë prova se tentakulat e autokratit janë të shtrira ngado

Tuesday, 25 Prill 2023 10:32
 
 
 

Në këtë fushatë duket sikur po ravijëzohen dy gara paralele, e para, ajo e pamundur, për të mposhtur pushtetin e Edi Ramës dhe e dyta, e opozitës reale, për të treguar se veglat që ky i fundit ka pajisur me vulë, financim, apo kohë televizive nuk kanë peshë të përfillshme tek elektorati shqiptar.

Duke qenë se betejën e vërtetë të 14 majit, pushteti e ka “kopsitur” me para oligarkësh, forcë bandash, media të blera, gjykata, KAS, Kolegj Zgjedhor e kështu me radhë, ajo jep përshtypjen sikur e ka humbur interesin. Shpesh kjo tjetra, mes opozitës që ka vota dhe asaj që ka vulën, vihet në plan të parë.

Kështu, kur mblidhen organet e drejtësisë apo ato që arbitrojnë zgjedhjet, përplasja kryesore është mes njerëzve të Berishës dhe atyre të Alibeajt.

 
 

E njëjta gjë ndodh edhe në media. Në studiot televizive i jepet më shumë vend ndeshjes mes dy PD-ve, ndërsa titujt më të klikuar të gazetave të shtypura dhe atyre online janë ato për luftën brenda llojit. Shpesh, viktimë e këtij përçudnimi jam bërë edhe personalisht duke “i shërbyer” në debatet e mbrëmjes një strategjie që ka si qëllim kryesor shmangien e vëmendjes nga mëkatet, abuzimet dhe krimet e pushtetit. Sa herë ia bëj këtë vërejtje kolegëve të mi, shumë prej tyre më përgjigjen me një profesionalizëm sipërfaqësor, se ata i përshtaten pasqyrimit besnik të realitetit.

I përfytyroj edhe tani duke më sjellë si shembull analizën e fundit që ka botuar Lapsi.al, ku vihet në dukje përkimi i fushatës mes Ramës dhe Alibeajt. “A nuk bëni dhe ju tek medja juaj të njëjtën gjë”- imagjinoj pyetjen e tyre ironike? “A nuk i shërbeni edhe ju po njësoj përçarjes mes kundërshtarëve që forcon sundimin e këtij regjimi”- përfytyroj shpotinë e tyre therëse.      

Pra, problemi themelor është: nëse ka një tension real mes anti-berishistëve dhe berishistëve në gjirin e opozitës, a duhet pasqyruar ky konflikt, pavarësisht nga droja se kjo mund ti shërbejë konsolidimit të regjimit?

Në kushte teorike absolutisht që po. Por në terrenin konkret është e kundërta, sepse cilido që tenton të jetë i ndershëm dhe i drejtë ka kaluar njëherë nga një eksperiencë e tillë. Vetëm pak vite më parë ne ishim dëshmitarë të një parlamenti të trukuar, të mbushur me karavidhe opozitare. Edhe ata bënin debate parlamentare, kërkonin mocione, kritikonin qeverinë madje u shfaqën si konkurrentë për 25 prillin. Gjuzi, Jenisheri, kërpërata, ai burri uiskdashës na u trumbetuan nga Edi Rama dhe Taulant Balla, nga mediat që i mbajnë ison atyre, nga Soreca apo Yuri Kim, si opozita reale dhe pro-atlantiste e vendit. Por me gjithë këtë pompim, kur mbërriti koha e zgjedhjeve, nuk patën fatin të marrin asnjë votë. Pra të gjithë ata që na treguan këtë fabul, apo të tjerët që për arsye “profesionale” e pasqyruan atë, dështuan me turp.

Pikërisht kjo eksperiencë që sapo kemi jetuar është mësimi më i mirë që na tregon se si duhet të sillemi ndaj PD-së me vulë. Natyrisht Alibeaj & Co nuk duhen censuruar, por ata duhen përshkruar ashtu sikurse janë: si vegla (disa me qëllim e disa jo), në funksion të pushtetit. Ata më shumë sesa ilustrim i përçarjes së opozitës na shërbejnë për të kuptuar se sa thellë ka depërtuar regjimi. Fakti që Edi Rama u ka dhënë gjithçka, nga mbrojtja me sambistë në 9 janar, për të shpëtuar kokën e deri tek mbrojtja me KAS-istë për të ekzistuar në letra, e tregon këtë. Vetë përkimet në fushatë, ku së bashku me rilindjen kanë si interesim kryesor se kush e financon Saliun apo se ky i fundit po dërgon votat demokrate tek Iliri, janë vetëdiskreditimi më spektakolar.

Pra, pyetjet që u ngritën më lart e kanë përgjigjen të thjeshtë: bëmat e PD-së së vulës duhen pasqyruar, por ama në funksion të idesë se një regjim absolut, korrupton në mënyrë absolute. Po ashtu si gjyqtarët e dalë nga reforma në drejtësi, po ashtu si anëtarët e përzgjedhur të KAS, po ashtu si “analistët” që bërtasin se e keqja e këtij vendi është opozita edhe Alibeaj&Co janë një provë me tepër se tentakulat e autokratit janë shtrirë ngado. Prandaj ata krijojnë përshtypjen e rreme se kjo fushatë ka dy gara, kur në fakt ekziston vetëm një: ajo mes pushtetit plus veglat e tij dhe nga ana tjetër, asaj opozite që, sado e keqe qoftë, është e vetmja që shkojnë të votojnë demokratët./LAPSI

Login to post comments